Lidhje

Turqi, shtohen kufizimet mbi median


Presidenti i Turqisë, Abdullah Gül nënshkroi në ligj disa masa të reja kontradiktore për kontrollin e Internetit, megjithë kritikat në vend dhe ato ndërkombëtare si dhe shqetësimet rreth kufizimit të lirive për mediat turke. Dorian Jones i Zërit të Amerikës takoi në Stamboll themeluesin e një faqeje të pavarur lajmesh në Internet, që ka qënë në krye të betejës lidhur me lirinë e shtypit dhe të Internetit.

Faqja elektronike Vagus.tv pasqyron një shumëllojshmëri gazetarie profesionale dhe qytetare. Sipas themeluesit të saj, Serdar Akinan, faqe të tilla janë bërë gjithnjë e më popullore, veçanërisht gjatë muajve të fundit për shkak të akuzave të shumta rreth korrupsionit në nivelet e larta të qeverisë. Por zoti Akinan thotë se mbulimi i korrupsionit e vë vetë faqen Vagus në qendër të lajme.

"Ne filluam të publikojmë disa akuza për korrupsion rreth kryeministrit Recep Tayyip Erdoğan. Pa pritur, para dy javësh ata na bllokuan faqen, e cila mbeti e mbyllur për 12 ditë. Por pasi unë e bëra problem në Turqi, ata u detyruan ta rihapnin faqen tonë".

Në një fjalim në parlament, udhëheqësi i grupimit më të madh të opozitës, Partia Republikane e Popullit, Kemal Kilicdaroglu, kërkoi të dinte se pse faqja elektronike Vagus ishte bllokuar. Ky presion duket se pati rezultat sepse autoritetet e rihapën atë, pa dhënë ndonjë shpjegim se pse u mbyll dhe më pas u rihap.
Kjo nuk është hera e parë që zoti Akinan është ndeshur me qeverinë. Ai ka qënë gazetar i njohur, që punonte si redaktor në një prej kanaleve më të njohura televizive të Turqisë.

Por ai thotë se është vënë në shënjestër sepse ka ndjekur një kod gazetarie të pavarur që mbulon edhe punën e kryeministrit Erdoğan.

"Para dy vjetësh unë isha kryeredaktor i kanalit televiziv turk, Sky Turk News dhe për shkak të politikës time transmetuese kanali që unë drejtoja u vë nën një presion të madh. Unë e di që qeveria, veçanërisht kryeministri Erdoğan, bëri përpjekje të mëdha për pushimin tim nga puna dhe më në fund ata e arritën këtë. Unë shkruaja edhe për të përditshmen Aksam, nga ku edhe u pushova. Si rezultat unë krijova faqen elektronike Vagus".

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me bazë në Shtetet e Bashkuara, në raportin e tij të fundit rreth sulmeve mbi shtypin gjatë vitit të fundit, e vuri theksin tek politika e përhapur në Turqi e pushimit nga puna të gazetarëve kritikë ndaj qeverisë. Shqetësime të ngjashme u shprehën edhe në raportin e fundit të Bashkimit Evropian lidhur me përpjekjet e Turqisë për anëtarësim në BE. Qevertia i mohon këto akuza, duke këmbëngulur se liria e medias është përmirësuar gjatë administratës së kryeministrit Erdoğan.

Krijimi i faqes Vagus.tv nga zoti Akinan përkoi rastësisht me valën e demonstrative anti qeveritare verën e kaluar të njohura si Protestat e Parkut Gezi. Ndërsa mediat në përgjithësi dyshohet të kenë qenë nën presionin e qeverisë për të mos i kushtuar rëndësi këtyre protestave, faqe elektronike lajmesh si Vagus mbushën vakumin e krijuar. Por kjo provoi të ishte një sukses me pasoja të rënda.

"Vagus, pas protestave të Parkut Gezi, pati 2 milion vizitorë në muaj, një numër shumë i madh për Turqinë. Kompanitë e reklamave më thanë se me një numër të tillë vizitorësh faqja jonë duhet të marrë reklama, por ato më thanë se nuk mund ta bënin këtë sepse faqja jonë jepte lajme që nuk miratoheshin nga kryeministri dhe se ne ishim në listën e zezë".

Dhe ka të ngjarë që gjërat të përkeqësohen për zotin Akinan.

Në fillim të këtij muaji, mijëra njerëz protestuan kundër vendimit të qeverisë për të shtuar kontrollin mbi Internetin. Ligji gjithpërfshirës i jep kompetenca partisë në pushtet AK që të mbyllë faqe elektronike, pa vendim të gjykatës, të cilat shikohen si kërcënuese për privacinë e individit. Zoti Akinan e pranon se ligji i ri mund ta detyrojë atë të mbyllë faqen Vagus.

Vëzhguesit paralajmërojnë se ka të ngjarë që Ankaraja të përballet me presion në rritje në vend dhe nga komuniteti ndërkombëtar lidhur me lirinë e Internetit dhe të gazetarëve.

Të martën, Presidenti Gül shprehu shqetësim rreth kufizimit të lirisë së shtypit në Turqi, duke thënë se media ka të drejtë të njoftojë lidhur me “praktikat e gabuara”. Ai e krahasoi imazhin e Turqisë në botë me atë të një drite që ka ndriçuar, por tani po venitet.
XS
SM
MD
LG