Lidhje

Turqi, tubim në mbështetje të Erdoganit


Qindra mijëra banorë protestuan dje në Stamboll të Turqisë në shenjë solidariteti me presidentin turk Tayyip Erdogan, pas puçit të dështuar të muajit të kaluar. Në protestë u bë thirrje për ekstradimin e klerikut Fetullah Gulen, i cili akuzohet se ka ndihmuar përpjekjen e dështuar për grusht shtet. Zoti Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, e ka dënuar përpjekjen për grusht shtet dhe ka mohuar akuzat për përfshirje në të.

Tubimi i djeshëm masiv shënoi fundin e tre javëve të protestave të përdishme që nga dështimi i përpjekjes për grusht shtet më 15 korrik, në të cilin u vranë më shumë se 270 njerëz, duke përfshirë 34 persona që ndihmuan në planifikimin e grusht shtetit.

Tubimi në sheshin Yenikapi të Stambollit ishte planifikuar nga mbështetësit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Presidentit Erdogan.

Masat e sigurisë ishin të larta me praninë e rreth 15,000 policëve dhe pajisjeve anti-ajrore.

Zoti Erdogan ftoi të gjithë udhëheqësit e opozitës të merrnin pjesë në tubim, përveç kreut të Partisë Popullore Demokratike pro-kurde.

Kryministri i Tuqisë Binali Yildirim u tha protestuesve se kleriku Fetullah Gulen, i cili jeton në Amerikës, do të sillej në Turqi për t’u gjykuar për rolin e tij në përpjekjen e dështuar për grusht shtet.

Ndërsa Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se përpjekja e dështuar për grushtet e ka bërë Turqinë më të fortë. Ai gjithashu u zotua për çrrënjosjen e rrjetit të klerikut Fetullah Gulen në Turqi.

“Ne duhet të rishikojmë të gjitha testet e dyshimta, vendimet e gjykatave, politikën, mediat dhe bizneset përmes të cilave kjo organizatë është ristrukturuar pas rritjes së paligjshme të kontrollit, këto fusha duhet të kthehen në kursin e tyre normal”.

Ndërkohë edhe në Shtetet e Bashkuara dje u zhvilluan protesta në mbështetje të Presidentit Erdogan. Turko-amerikanët protestuan në Uashington, Nju Jork, dhe Saylorsburg të Pensilvanisë.

Protestuesi Keman Bozkurt tha se ekstradimi i Fetullah Gulenit duhet të jetë përparësi kryesore e administratës së Presidentit Obama.

“Mesazhi për Presidentin Obama është që para se t’i mbaroj mandati, ai duhet ta dërgojë Fetullah Gulenin në Turqi”.

Presidenti Obama ka insistuar se kërkesa për ekstradim duhet të bëhet në bazë të rregullave.

Kleriku Fethullah Gulen, i cili jeton në shtetin e Pensilvanisë, akuzohet nga Presidenti Erdogan për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit. Zoti Gulen ka mohuar akuzat e Turqisë dhe shpreson të shmang përpjekjet e saj për ekstradimin e tij.

Më shumë se 13 mijë njerëz, përfshirë 9 mijë ushtarë, 2.100 gjykatës dhe prokurorë, dhe 1.485 policë, janë në paraburgim pas puçit të dështuar në Turqi. Veç kësaj, rreth 50 mijë njerëz janë pushuar nga puna, sepse dyshohen të kenë lidhje me organizatorët e puçit. Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International kohët e fundit i bëri thirrje autoriteteve turke që vëzhguesit ndërkombëtarë të lejohen në qendrat e paraburgimit, pas njoftimeve për torturë dhe keqtrajtime ndaj personave që ndodhen në paraburgim. Ndërkohë Bashkimi Evropian dhe organizatat e të drejtave të njeriut i kanë bërë thirrje Tuqisë që të tregohet e përmbajtur në lidhje me thirrjet për zbatimin e ligjit të dënimit me vdekje ndaj personave që akuzohen për pjesëmarrje në grusht shtetin e dështuar.

XS
SM
MD
LG