Lidhje

Vazhdojnë tensionet për rrëzimin e avionit rus


Një javë pasi Turqia qëlloi një avion luftarak rus, Presidenti amerikan Barak Obama bëri thirrje për uljen e tensioneve mes dy vendeve dhe për një front të bashkuar në konfliktin sirian:

Presidenti Obama u takua me Presidentin turk Recep Tayip Erdogan në periferitë e konferencës së Parisit për klimën.

“Ne të gjithë kemi një armik të përbashkët – ISIS. Dua të sigurohem që po përqëndrohemi tek ky kërcënim. Dua të sigurohem se po përqëndrohemi tek nevoja për të arritur një zgjidhje politike në Siri”.

Zoti Obama nënvizoi rolin që mund të luajë Turqia në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën në Siri:

“Pata rastin të diskutoj me Presidentin Erdogan kohët e fundit në Antalia, në takimin e G20. Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, mendoj se do të ishte me vlerë të diskutonim zhvillimet në Siri si dhe marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë”.

Zoti Erdogan tha se dëshiron të shmangë tensionet. Ai bëri thirrje për dialog diplomatik për të zgjidhur problemet në rajon.

Presidenti rus Vladimir Putin ka këmbëngulur se avioni nuk u fut në hapësirën ajrore turke dhe është kundërpërgjigjur me sanksione kundër Ankarasë.

Zoti Putin nuk pranoi dje të takohej me Presidentin Erdogan në Paris dhe e akuzoi Turqinë se e rrëzoi avionin rus për të mbrojtur furnizimet me naftë që ai tha se Turqia merr nga ISIS.

“Kemi marrë informata shtesë, të konfirmuara, se nga puset e naftës që kontrollohen nga ISIS dhe organizata të tjera terroriste, sasi të mëdha nafte të kategorisë për prodhim industrial po dërgohen drejt Turqisë”.

Presidenti Erdogan e hedh poshtë me forcë këtë pretendim, duke thënë se do të japë dorëheqjen nëse provohen akuzat e presidentit rus. Udhëheqësi turk tha se nuk do të kërkojë falje për incidentin.

Në Ankara, kryeministri Ahmet Davutoglu i bëri thirrje Rusisë të mbajë të hapura linjat e komunikimit diplomatik me Turqinë.

XS
SM
MD
LG