Lidhje

Zgjedhjet në Turqi dhe e ardhmja e presidencës


Ndërsa 54 milionë turq shkojnë të dielën në kutitë e votimit, në qendër të zgjedhjeve parlamentare është Presidenti Recep Tayyip Erdogan. Pyetja që shtrohet është nëse Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e tij, do të fitojë një shumicë të mjaftueshme për të ndryshuar kushtetutën dhe për ta vendosur atë në majën më të lartë të politikës në Turqi, në një sistem të ri presidencial.

Zoti Erdogan ka thënë se sistemi aktual parlamentar i kufizon perspektivat e Turqisë për rritje ekonomike, por ai ende nuk ka paraqitur një platformë për sistemin presidencial që ka ndër mend.

Kritikët druhen se atij do t’i mungojë balanca e pushteteve dhe se kjo do të çonte në autokraci.

Shanset për një fitore dërrmuese të AKP-së duket se po zbehen, ndërsa një rritje e mbështetjes partinë kryesore kurde mund t’i bllokojë ambiciet e Erdoganit 61 vjeçar.

"Njerëzit mendojnë se ne jemi të vetmit që mund të bllokojmë synimin e Erdoganit për pushtet të pakufishëm dhe atë që ai quan ‘presidencë’ por që ne e quajmë ‘diktaturë’. Prandaj ata kanë besim tek ne dhe votojnë për ne”, thotë selahattin demirtas, bashkëkryetar i partisë pro-kurde HDP.

Nëse Partia pro-kurde Demokratike Popullore, ose HDP e arrin kufirin elektoral prej 10 për qind të numrit të përgjithshëm të votave, duke siguruar automatisht 50 vende në parlament, kjo do ta bënte të pamundur për AKP-në, që të arrinte shumicën e nevojshme për të shpallur një referendum për ndryshime kushtetuese.

Ahmet Kasim Han është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has.

“Në të tilla kushte, ndryshimet presidenciale, pa kaluar të paktën përmes referendumit kushtetues, apo pa kapur një numër të nevojshëm vendesh që AKP-ja të shpallë një referendum të tillë, do të vihej në dyshim. Dhe pa frikë ky do të ishte një makth i tmerrshëm për zotin Erdogan”.

Nëse HDP-ja nuk e arrin këtë kufi zgjedhor, ka shqetësime se mund të ndërpritet procesi dyvjeçar i paqes me kurdët, që synon t’i jepet fund dekadave të konfliktit të dhunshëm.

Zoti Erdogan që ishte iniciatori i procesit të paqes, i ka ndërprerë bisedimet e paqes për shkak të shqetësimeve se mund të humbasë votat e nacionalistëve ndaj partisë së ekstremit të djathtë, MHP që kundërshton me forcë lëshimet ndaj kryengritësve kurdë.

Forca kryesore e opozitës është Partia laike Republikane e Popullit, CHP që po përballet edhe me rivalitetin e HDP-së.

“Rëndësia e këtyre zgjedhjeve qëndron tek demokracia, liritë, barazia gjinore, epërsia e gjyqësorit. A do t’i forcojë Turqia këto arritje apo do t’i humbë? Kjo është rëndësia e këtyre zgjedhjeve. Turqia ose do të shkojë drejt regjimit autoritar ose do të zgjedhë demokracinë”.

CHP po bën fushatë me një program ekonomik të guximshëm me premtimet për të luftuar papunësinë, rritur pensionet dhe përmirësuar kushtet e fermerëve dhe për të zgjeruar liritë demokratike dhe civile.

XS
SM
MD
LG