Lidhje

Turqi, incidente me armë, sulmohet edhe konsullata e SHBA


Në Turqi, një seri sulmesh që ndodhën sot kishin në shënjestër policët dhe ushtarët, duke lënë disa të vdekur. Një tjetër incident kishte si objektiv konsullatën amerikane në Stamboll. Konsullata u qëllua me armë nga dy gra, të cilat arritën të ikin nga vendi i ngjarjes pasi policia u kundërpërgjigj, por më vonë njëra prej tyre u arrestua.

Sulmi ndaj konsullatës amerikane në Stamboll u krye nga dy gra, njëra prej të cilave u kap e plagosur, tha sot zyra e guvernatorit të Stambollit.

Policë të armatosur rrethuan zonën pranë konsullatës amerikane në lagjen Sarıyer në pjesën evropiane të Stambollit pas sulmit me armë që ndodhi atje.

Sipas banorit Ahmet Akcay, policët u vunë në ndjekje të personave të dyshuar.

"Dy gra me çanta ishin duke ecur në lagje. Ne dëgjuam të shtëna dhe dolëm në dritare. Pamë një grua me armë, por ajo nuk po shtinte. Gruaja tjetër qëlloi katër ose pesë herë në drejtim të rojeve të sigurisë dhe zyrtarëve të konsullatës,” tha dëshmitari.

Agjencia e lajmeve Dogan tha se gruaja e arrestuar ishte e moshës 51 vjeç dhe kishte bërë burg si anëtare e dyshuar e organizatës së ekstremit të majtë Fronti i Ushtrisë Revolucionare Çlirimtare Popullore. Organizata mori përgjegjësinë për sulmin ndaj konsullatës. Ndërkohë, policia arrestoi simpatizantë të kësaj organizate, të cilët po protestonin jashtë spitalit ku po mjekohej njëra nga gratë që sulmuan.

Kjo është një organizatë anti-amerikane dhe klasifikohet si grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Turqia.

Turqia vazhdon të jetë në gjendje gatishmërie të lartë që nga fillimi i luftës së saj “të sinkronizuar kundër terrorit" muajin e kaluar, e cila përfshin sulme ajrore kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik në Siri dhe militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit në Irakun verior.

Qindra persona të dyshuar si militantë në Turqi janë arrestuar.

Sulmi në konsullatën amerikane erdhi në të njëjtën kohë që, sipas autoriteteve, një automjet i ngarkuar me lëndë shpërthyese në anën tjetër të Stambollit u përdor për një sulm kundër një stacioni policor, duke plagosur tre policë dhe shtatë civilë.

Në të njëjtin vend, policia u përfshi më vonë në një shkëmbim zjarri me dy sulmues duke i vrarë të dy.

Ndërkohë, në provincën Sirnak të Turqisë jugore po sot shpërtheu një bombë në anë të rrugës, duke lënë katër policë të vrarë.

XS
SM
MD
LG