Lidhje

Turqia autorizon dërgim trupash në Libi


Parlamenti i Turqisë autorizoi stacionimin e trupave në Libi për të mbështetur qeverinë, që gëzon përkrahjen e OKB-së, në betejën e saj për kryeqytetin Tripoli.

Kryetari i parlamentit Mustafa Sentop tha se parlamenti e miratoi ligjin me një rezultat votash 325 pro dhe 184 kundër.

Projekt-ligji u miratua pavarësisht mungesës së mbështetjes nga të gjitha partitë kryesore të opozitës në Turqi.

Ligji i jep qeverisë së Presidentit Tajip Erdogan një mandat njëvjeçar për të dërguar trupa në Libi, duke ngjallur shqetësime se trupat turke mund të intensifikojnë konfliktin dhe të destabilizojnë më tej rajonin.

Qeveria e kryeministrit libian, Fayez Sarraj, tha se Tripoli ka kërkuar të zmbrapsë një ofensivë që filloi në prill nga gjenerali Khalifa Haftar, i cili ka mbështetjen e rivalëve rajonalë turq, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Luftimet kanë ngjallur shqetësime për krijimin e një kaosi në Libi siç ndodhi në konfliktin e vitit 2011 që çoi në rrëzimin dhe vrasjen e diktatorit Moammar Gadhafi.

Zoti Erdogan tha muajin e kaluar se Kryeministri libian Sarraj kishte kërkuar vendosjen e trupave turke pasi të dy krerët nënshkruan një pakt ushtarak që lejon Turqinë të dërgojë ekspertë ushtarakë dhe personel në këtë vend të Afrikës së Veriut.

Kjo pason një marrëveshje të mëparshme për kufijtë detarë midis Turqisë dhe Libisë që ka ngjallur kundërshtime në rajon dhe më gjerë.

Menjëherë pas miratimit të projekt-ligjit, zyra e Presidentit Erdogan lëshoi një deklaratë ku thotë se zoti Erdogan dhe Presidenti i SHBA Donald Trump diskutuan mbi konfliktet në Libi dhe Siri dhe mbi "rëndësinë e diplomacisë në zgjidhjen e çështjeve rajonale".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG