Lidhje

Turqia BE-së: Respektoni marrëveshjen për migrantët


Turqia akuzoi Bashkimin Evropian se po i shkel angazhimet për zbatimin e marrëveshjes mbi migrantët. Akuzat vijnë në prag të vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel të premten në Stamboll.

E ardhmja e marrëveshjes me BE-në, e cila kufizoi eksodin e migrantëve drejt Evropës, pritet të jetë pjesë e rëndësishme e bisedimeve midis zonjës Merkel dhe Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Në një intervistë për gazetën gjermane Bild të mërkurën, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu i dërgoi një mesazh të qartë kancelares Merkel. "Jemi në vitin 2020, dhe ne ende nuk i kemi marrë plotësisht tre miliardë eurot e para," tha zoti Cavusoglu.

Sipas marrëveshjes së BE-së për migrantët nënshkruar në vitin 2016, Ankaraja duhej të merrte 6 miliardë euro në dy këste për të ndihmuar sistemimin dhe mbështetjen e rreth 4 milion sirianëve që ishin larguar nga lufta civile për në Turqi.

Ankaraja ndihet e mashtruar nga Brukseli. Ajo thotë se e ka respektuar pjesën e saj të marrëveshjes, duke ulur në mënyrë drastike numrin e migrantëve që hyjnë në Evropë nga Turqia.

Marrëveshja erdhi pas eksodit të më shumë se një milion njerëzve që kërkuan strehim në Evropë nga Turqia në vitin 2015.

Presidenti Erdogan pritet t’i bëjë trysni zonjës Merkel për këtë çështje të premten kur ata të bisedojnë. Berlini konsiderohet si një nga përfituesit kryesorë të marrëveshjes. Në vitin 2015, Gjermania pranoi rreth 1 milion refugjatë, shumë prej të cilëve shkuan atje duke udhëtuar përmes Turqisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG