Lidhje

Turqi: Vrasja e aktivisteve thellon mosmarrëveshjet me kurdët


Vrasjet e pazgjidhura të tre aktivisteve kurde në Paris javën e kaluar ka rezultuar në thellimin e mosmarrëveshjeve mes kurdëve dhe Turqisë. Kurdët pretendojnë se elementë nacionalistë të shtetit turk janë përgjegjës për vrasjet, ndërsa qeveria turke thotë se vrasjet janë rezultat i grindjeve brenda grupit kurd të rebelëve të PKK-së. Tani ka spekulime se elementë iranianë dhe sirianë janë të përfshirë në vrajset e tre aktivisteve kurde. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Stamboll, Dorian Jones sjell hollësi.

Ndërkohë që hetimet e francezëve mbi vrasjen e tre aktivistëve kurdë vazhdojnë, edhe në Turqi po vazhdon debati mbi autorët e këtyre vrasjeve. Gultan Kisanak është bashkë-drejtuese e Partisë pro-kurde të Paqes dhe Demokracisë. Ajo thotë se ka pak dyshim se kush qëndron prapa vrasjeve.

“Ankaraja mbart një pjesë të madhe të përgjegjësisë për vrasjen misterioze të politikaneve kurde në Paris javën e kaluar. Kjo masakër mund të ishte parandaluar, por një gjë e tillë nuk ndodhi”.

Zonja Kisanak tha se elementë të fortë nacionalistë brenda shtetit turk, janë përgjegjës për këtë krim. Këta elementë shpesh fajësohen për komplote kundër qeverisë aktuale dhe kundër lëvizjes pro-kurde.

Por akuzat e përfshirjes së shtetit janë mohuar me forcë nga qeveria turke. Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan tha javën e kaluar se ekzekutimi i tre aktivisteve mund të jetë rezultat i një grindje të brendshme brenda grupeve kurde për shkak të negociatave të paqes. Turqia kohët e fundit njoftoi se ka filluar bisedimet me udhëheqësin e burgosur të PKK-së, Abdullah Oçalan.

Sipas njoftimeve të agjencive të lajmeve, shteti turk dhe PKK kanë rënë dakord për kornizën e një plani paqeje, i cili do të përfshijë rritjen e të drejtat të pakicës kurde në shkëmbim të çarmatimit të militantëve.

Profesori i shkencave politike në Universitetin Bahcesehir, Cengiz Aktar thotë se një grindje e brendshme mes grupeve kurde mund të jetë skenari më i mundshëm për shpjegimin e vrasjeve të tre aktivisteve kurde.

“Për mua kjo duket si një çështje e brendshme e qarqeve kurde në Francë. Kjo nuk është hera e parë. Shpresoj se negociatorët dhe politikanët kanë nxjerrë mësime nga nismat e mëparshme, të cilat kanë dështuar”.

Analistët theksojnë se militantët nacionalistë turq kanë një histori të armiqësive të përgjakshme dhe në të kaluarën janë akuzuar për vrasjen e aktivistëve kurdë, të cilët donin autonomi rajonale. Por incidente të tilla kanë qenë të kufizuara brenda Turqisë.

Tani ekziston një besim në rritje në Turqi se fqinjët e saj mund të jenë të përfshirë në vrajsen e tre aktivisteve kurde.
Semih Idiz është gazetar i gazetës së përditshme turke Taraf që mbulon çështjet diplomatike.

“Ata po e lidhin Sirinë dhe Iranin me këtë ngjarje. Dihet se tani Turqia ka probleme me këto dy vende për shkak të krizës në Siri”.

Në muajt e fundit, Ankaraja ka akuzuar Teheranin dhe Damaskun se ato po mbështesin rebelët e PKK-së, në shenjë hakmarrje për mbështetjen e Turqisë për rebelët sirianë. Si Irani ashtu edhe Siria i kanë mohuar këto akuza.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir të Stambollit, Soli Ozel thotë se gjatë konfliktit tridhjetë vjeçar midis PKK-së dhe shtetit turk, fqinjët e Turqisë kohë pas kohe e kanë përdorur PKK-në për të ushtruar trysni ndaj Ankarasë.

“Konteksti rajonal i problemit kurd e komplikon zgjidhjen politike të çështjes kurde në Turqi”.

Gazetari Semih Idiz thotë se bisedimet mbi paqen mund të jenë motivi i vrasjeve, Ankaraja mund të paguajë çmimin për publikimin e zhvillimit të bisedimeve prapa dyerve të mbyllura.

“Duke folur hapur për takimin me PKK-në Turqia po u ofron një mundësi forcave të jashtme, elementeve apo vendeve tjera të bëjnë përpjekje për të ndërhyrë në këtë proces nëse është në interesin e tyre”.

Për momentin, të gjitha palët janë zotuar për vazhdimin e bisedimeve, por analistët paralajmërojnë se gjasat për arritjen e një marrëveshje politike dhe diplomatike janë të larta dhe mund të jenë shkasë për përpjekje të mëtejshme nga jashtë për ndërprerjen e bisedimeve për paqe.
XS
SM
MD
LG