Lidhje

Turqia, së shpejti me kryeministër të ri


Turqia po ballafaqohet me amulli politike, me largimin e pritshëm të Ahmet Davutoglu nga roli i kreut të partisë në pushtet dhe si rrjedhojë edhe nga posti i kryeministrit. Tërheqja e tij vjen si rezultat i përplasjeve me Presidentin Recep Taip Erdogan dhe pritet ta çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme:

Partia në pushtet AK do të zhvillojë një kongres të jashtëzakonshëm më 22 maj dhe sipas medias lokale, kryetari aktual Ahmet Dovutoglu nuk do të kërkojë të rizgjidhet, duke u tërhequr edhe nga posti i kryeministrit.

Vendimi është rezultat i fërkimeve që ka pasur prej kohësh zoti Davutoglu me Presidentin Recep Taip Erdogan, kryesisht lidhur me disa politika të presidentit, në veçanti rezistencën e tij ndaj ndryshimeve kushtetuese që synonte Erdogani për të forcuar dhe zgjeruar kompetencat e presidentit. Mospajtimet u thelluan edhe më shumë javën e kaluar, kur Partia AK i hoqi kryeministrit autoritetin për të emëruar drejtues lokalë.

Presidenti dhe kryeministri u takuan mbrëmë në përpjekje për të sheshuar mospajtimet, por pa rezultat.

Largimi i Ahmet Davutoglus vjen në një kohë kur vendi përballet me një numër sfidash që nga dobësimi i ekonomisë, kërcënimi terrorist në kufijtë me Sirinë dhe Irakun, fluksi i refugjatëve, si dhe përpjekjet për antarësim në Bashkimin Evropian.

Lajmi për largimin e zotit Davutoglu ka shqetësuar investitorët. Si rezultat vlera e lirës ra sot, ndërkohë që ra 1.5% edhe indeksi kryesor i aksioneve në bursën e Stambollit.

Për shumë turq, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar nga ky zhvillim:

“Është një lajm që na çuditi, por edhe e prisnim. Ishte e qartë se mes dy udhëheqësve kishte përplasje. Zoti Erdogan do një presidencë ekzekutive dhe po përpiqet të heqë çdo pengesë që ka përpara,” thotë një banor.

Për disa turq, kjo është thjesht një krizë politike në partinë AK dhe nuk përbën ndonjë shqetësim për situatën e përgjithshme politike në vend:

“Ka shumë rëndësi se si do të pritet nga tregu kryeministri i ri. Duhet të jemi të duruar dhe të shohim a kemi të bëjmë me krizë politike apo qeveritare? Për momentin nuk ka krizë. Po ndryshon kryeministri dhe kreu i Partisë AK. Kryeministri i ardhshëm mund ta udhëheqë vendin në një drejtim më pozitiv,” thotë Mehmet Akif Turker, pronar i një firme për Kambio.

Njerëz të afërm me presidentin thonë se situata mund të kapërcehet pa nevojën e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare. Megjithatë, largimi i Ahmet Davutoglus nga posti i kryeministrit pritet të acarojë marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Evropian, në një kohë kur Ankaraja sapo ka finalizuar një marrëveshje për menaxhimin e fluksit të refugjatëve, përshpejtimin e bisedimeve për antarësim në BE dhe regjimin për liberalizimin e vizave.

XS
SM
MD
LG