Lidhje

Turqia në bisedime me udhëheqësin kurd Oçalan


Qeveria turke është në bisedime me udhëheqësin e burgosur rebel kurd Abdullah Oçalan. Megjithatë, mbeten pikpyetje nëse qeveria është e gatshme për të bërë reformat e nevojshme për t’i bindur kryengritësit të heqin dorë nga lufta e tyre, ndërsa nacionalizmi kurd në të gjithë rajonin është në rritje. Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Një këshilltar i lartë i kryeministrit të Turqisë, Yalcin Akdogan, konfirmoi se oficerët e shërbimit sekret turk kanë nisur bisedimet me udhëheqësin e burgosur të partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, Abdullah Oçalan.

“Qëllimi është çarmatosja e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit” thotë Akdogan. “Nuk mund të fitohet përmes luftës së armatosur. Duhet të përdoren taktika të tjera dhe negociatat janë një prej tyre”.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit ka luftuar me shtetin turk që prej vitit 1984- një konflikt i cili ka shkatuar deri tani vdekjen e rreth 40 mijë njerëve. Zoti Akogdan shpreson se rebelët do t’i dorëzojnë armët në fillim të stinës së verës dhe se udhëheqësit e tyre do të bien dakort që të ikin në mërgim.

Por eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Soli Ozel në Universitetin Kadir Has ngre pyetjen nëse qeveria turke është e gatshme që të japë ato që duhen për të realizar një synim të tillë.

“E gjithë kjo bëhet që të sigurohemi që Partia e Punëtorëve të Kurdistanit të dorëzojë armët, dhe ky është një qëllim i mirë. Por ne kemi edhe probleme të tjera politike lidhur me kurdët e Turqisë, problem kryesisht i shtetësisë. Ne nuk e dimë se ku dëshiron qeveria ta çojë vendin dhe duke pasur parasysh faktin që ndodhemi përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2014, unë nuk shoh që qeveria të ecë në drejtimin e duhur përsa i përket shtetësisë së kurdëve të Turqisë, dhe kjo gjë ndoshta do të sillte acarim mes konservatorëve dhe nacionalistëve”.

Vëzhguesit paralajmërojnë se PKK nuk është gati të heqë dorë nga armët. Vitin e kaluar, dhuna u rikthye në nivelet e vitit 1990, momenti më i ndezur i konfliktit. Rebelët luftojnë për autonomi dhe të drejta më të mëdha kulturore. Sinan Ulgen, drejtues i institutit kërkimor Edam në Stamboll, beson se ka një dritare mundësish që qeveria të bëjë disa lëshime.

“Ky do të jetë një proces i gjatë dhe gradual. Mendoj se këtu ka dy çështje kritike. Njëra prej tyre është se sa është e gatshme qeveria që të lëshojë pe, dhe kjo po negociohet aktualisht. E dyta është çështje besimi mes palëve”.

Abdullah Oçalan ka ndërprerë kontakte me mbështetësit e tij për më shumë se 10 vjet, ndërsa mbahet i burgosur në ishullin Imrali. Ende është në pikpyetje ndikimi i tij tek PKK-ja.
Vëzhguesit ndërkombëtarë theksojnë se besueshmëria e tij u rrit vitin e kaluar kur qeveria turke kërkoi ndihmën e tij për t'i dhënë fund një greve urie, të ndërrmarrë nga të burgosurit kurdë. Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ozel thotë se kjo mund të jetë mundësia më e mirë për qeverinë për të treguar se po lëviz në drejtimin e kurdëve.

"Lëvizja nacionaliste rajonale kurde është duke e bërë praninë e saj të njohur në skenën botërore. Kemi një Kurdistan thuajse të pavarur në Irak, rajone autonome kurde në veri të Sirisë dhe duket se kurdët e Turqisë janë lënë pas dore në gjithë këto zhvillime”.

Bisedimet e fundit mes zotit Oçalan dhe qeverisë u ndërprenë dy vjet më parë. Ndërprerja e këtyre bisedimeve u pasua me një rritje të ndjeshme të luftimeve që vazhdojnë edhe sot. Vëzhguesit thonë se tani që Turqia ndodhet në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit 2014 dhe 2015, bisedimet me kurdët mund të paraqesin mundësinë më të mirë për sukses për vite me radhë.
XS
SM
MD
LG