Lidhje

Ankaraja: Avion rus në hapësirën ajrore turke


Turqia tha sot se një avion rus shkeli hapësirën e saj ajrore në afërsi të kufirit me Sirinë, duke bërë që dy avionë turq F-16 ta shoqëronin aeroplanin rus jashtë kësaj zone.

Në një deklaratë të ministrisë së jashtme thuhej se incidenti ndodhi të shtunën, dhe se Turqia, anëtare e NATO-s, paralajmëroi Rusinë se do të mbajë "përgjegjësi për çdo incident të padëshiruar", nëse ndodh një tjetër shkelje e hapësirës ajrore.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax citon ambasadën ruse në Turqi ta ketë konfirmuar incidentin dhe të ketë thënë se zyrtarëve turq iu dhanë shpjegime.

Në një deklaratë të bërë sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se u takua me ministrin e jashtëm turk Feridun Sinirlio-glu për të diskutuar mbi operacionet ruse në Siri, dhe mbi atë që ai e quajti "shkelje të papranueshme të hapësirës ajrore turke" nga avionë ushtarakë rusë.

Stoltenberg shtoi se "veprimet e Rusisë nuk po kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit", dhe se trupi vendimmarrës i NATO-s, Këshilli i Atlantikut të Veriut, do të mblidhej sot për të diskutuar mbi incidentin.

XS
SM
MD
LG