Lidhje

Turqia, Evropa dhe fushata elektorale


Zgjedhjet e parakohëshme në Turqi ka të ngjarë të shoqërohen me përplasje mes Ankarasë dhe autoriteteve të Austrisë, Gjermanisë dhe Hollandës që kanë thënë se nuk do të lejojnë fushatë zgjedhore në vendet e tyre ku ka një popullsi të konsiderueshme emigrantësh nga Turqia.

Nga ana e tij, Presidenti Erdogan ka sinjalizuar se mund të thyejë emgargon e tyre elektorale.

“Nuk do e përmend vendin përkatës, por do t’u flas qytetarëve turq në një palestër në Evropë, që zë rreth 10 mijë vetë,” tha presidenti turk.

Gjermania e ka shprehur hapur qëndrimin e saj për synimet e presidentit turk për fushatë:

“Ne mbajmë një qëndrim të fortë në këtë drejtim. Fushata në interes të një vendi tjetër në Gjermani nuk lejohet tre muaj para zgjedhjeve” tha ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas.

Qeveritë austriake dhe hollandeze po zbatojnë rregullore të ngjashme.

“Fjalimet e politikanëve turq në kuadër të fushatës nuk janë të mirëpritura në Austri dhe nuk do të lejohen,” tha Kancelari austriak Sebastian Kurz.

“Nga njëra anë bllokojnë ushtrimin e një prej të drejtave më themelore, nga ana tjetër kritikojnë ato që i quajnë zhvillime negative në demokracinë turke,” reagoi ministri turk për marrëdhënie me Bashkimin Evropian, Omer Celik.

Ndalimi i aktivitetit për fushatë në Evropë shihet si një goditje ndaj përpjekjeve të Erdoganit për rizgjedhje.

“Erdogani ka një stil shumë konkret, do që ta shohin zgjedhësit. Ai beson se ka përkrahës të shumtë në Evropë,” thotë analisti politik Semih Idiz i cili shkruan për portalin elektronik Al-Monitor. "Votuesit në Evropë janë shumë të rendësishëm pasi ka një numër të madh emigrantësh me të drejtë vote. Ndoshta 4.5 milionë vetë. Ndikimi i tyre nuk mund të injorohet,” thotë opinionisti.

Analistët thonë se votuesit turq në Evropë kanë prirjen të mbështesin Erdoganin dhe partinë e tij AKP. Ata shtojnë se kjo përkrahje mund të ketë rëndësi vendimtare në zgjedhjet e qershorit.

Referendumi i vjetshëm për ta shndërruar Turqinë në presidencë ekzekutive solli krizë në marrëdhëniet Ankara-BE. Hollanda dhe Gjermania shprehën kritika të forta në veçanti dhe bllokuan planet për tubime pasi autoritetet shprehën shqetësim se aktivitete të tilla mund të acaronin tensionet.

Presidenti turk u përgjigj duke i akuzuar dy vendet se po silleshin si regjime naziste.

Analistët thonë se retorika e fortë e Erdoganit në këtë acarim e fuqizoi fushatën e tij dhe solli si rezultat miratimin e referendumit.

Disa vëzhgues thonë se ndalimi i aktiviteteve elektorale për zgjedhjet e ardhshme mund të rezultojë në favor të Erdoganit:

“Vështirë të besosh se Gjermania, Austria, autoritetet hollandeze nuk e kuptojnë se duke ia vështirësuar fushatën partisë AKP, e shtojnë përkrahjen për këtë forcë politike dhe i sigurojnë fitoren udhëheqësit të saj,” thotë opinionisti Barcin Yinanc, i cili shkruan për të përditshme Hurriyet Daily News.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG