Lidhje

Shtohen ndihmat për viktimat e tajfunit në Filipine


Organizata e Kombeve të Bashkuara, Australia, Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh të Azisë Juglindore kanë nisur operacionet e ndihmës në pjesën qendrore të Filipineve, katër ditë pasi një nga tajfunët më të fuqishëm të regjistruar në histori goditi vendin aziatik.

Duke folur dje në Nju Jork, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon shprehu ngushëllimet dhe mbështetjen për popullin e Filipineve. Ai tha se 10 milionë njerëz janë prekur nga Tajfuni Haiyan, i cili goditi qytetin bregdetar Takloban të premten dhe pesë provinca tjera duke lënë pas vete viktima dhe ndërtesa të shkatërruara. Autoritetet thonë se tajfuni mund të ketë shkaktuar vdekjen e 10 mijë njerëzve.

Sekretari Ban Ki-moon tha se ai kishte folur me Presidentin e Filipineve, Benigno Aquino, dhe shtoi se agjencitë e ndihmave ushqimore tashmë kanë intensifikuar operacionet e tyre të ndihmave. Ndërkohë që ai po fliste, ushtria amerikane dhe qeveria australiane po dislokonte ndihma dhe ekipe të kërkim-shpëtimit në Takloban dhe zonat përreth.

Fotografitë dhe pamjet filmike që qarkullonin dje tregonin qindra njerëz që ktheheshin nga kodrat përreth Taklobanit, për të parë shtëpitë e tyre të shkatërruar në qytetin që dikur lulëzonte dhe kishte 220 mijë banorë.
XS
SM
MD
LG