Lidhje

Taksi fluturuese, Uber nënshkruan marrëveshje me NASA-n


Kompania Uber tha se ka nënshkruar një marrëveshje me agjencinë amerikane të hapësirës, Nasa për të ndërtuar një flotë taksish fluturuese deri në fund të dekadës.

Kompania tha sot se shpreson të ketë klientin e parë në makinën e re fluturuese deri në vitin 2023, edhe pse ende përballet me disa vështirësi.

Drejtori i kompanisë Uber për zhvillimin e produkteve, Jeff Holden tha se shpreson që shërbimi të pakësojë kohën e transportit, ndotjen e ajrit në qytetet kryesore dhe eventualisht, shërbimi do të jetë më i lirë sesa të ngasësh makinën tënde personale. Megjithatë ai tha se fillimisht çmimi do të jetë më i shtrenjtë.

Sipas parashikimeve nga Uber, çmimi i tanishëm për një udhëtim nga San Francisko në San Hoze në orët e ngarkuar të trafikut, që merr 2 orë, kushton 111 dollarë. E njëjta distancë në rrugë ajrore përshkohet në vetëm 15 minuta.

Fillimisht, kjo distancë do t’u kushtojë klientëve 129 dollarë, por Uber thotë se çmimi do të ulet në vetëm 43 dollarë për një kohë të shkurtër dhe 20 dollarë në një periudhë më afatgjatë.

Uber është bashkuar me NASA-n për të ndihmuar në trajtimin e disa prej çështjeve logjistike që shoqërojnë një teknologji të re.

Këto sfida përfshijnë marrjen e certifikimit nga autoritetet për automjetet e reja dhe daljen me një sistem për të shmangur goditjet në ajër në zonat urbane.

"Marrëveshja që kemi nënshkruar me NASA-n ka të bëjë fillimisht me bashkëpunimin për rregullat menaxhimit të trafikut ajror," tha Holden për kanalin NBC News.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG