Lidhje

Parlamenti britanik merr kontrollin mbi Brexit-in


Ligjvënësit britanikë votuan të hënën duke i marrë kryeministres Theresa May kontrollin mbi procesin e daljes së vendit nga Bashkimi Evropian. Pritet që të mërkurën ligjvënësit të votojnë mbi një sërë alternativash për daljen nga BE-ja, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme si për Britaninë ashtu edhe BE-në.

Me një votim 329 me 302, falë edhe ndihmës së tre ministrave, të cilët dhanë dorëheqjen për të votuar pro mocionit, Dhomës së Komunëve iu hap drita jeshile.

Votimi nënkupton që ligjvënësit do të shqyrtojnë një numër propozimesh që shpresojnë se do të jenë të pranueshme për të gjitha palët, në mënyrë që Britania të largohen nga Bashkimi Evropian.

"Në vend që të përpiqet të sajojë një mënyrë për të sjellë të njëjtën marrëveshje të refuzuar dy herë, kryeministrja duhet t’i hapë rrugën votimit propozimeve të reja dhe jo t’i sfidojë ato? Nuk mundet që ajo edhe të pranojë se marrëveshja e saj nuk i ka votat dhe njëkohësisht të bëhet pengesë për gjetjen e një mundësie që i ka numrat. Është qesharak pohimi se marrja e kontrollit prej parlamentit do të thotë përmbysje institucionesh demokratike. Zoti kryetar, kjo gjë nuk ka ndodhur. Parlamenti po bën punën e tij që qeveria të jetë përgjegjegjëse për veprimet e saj", thotë Jeremy Corbyn, udhëheqës i Partisë Laburiste.

"Keni të drejtë kur thoni se unë thashë, se nisur nga situata, nuk besoj se do të kisha mbështetje në rast rikthimi të një votimi. Por gjithashtu thashë se po vazhdoja të bisedoja me kolegët e Dhomës së Komunëve me shpresën për të rikthyer një votim që mundëson Brexit-in. Sepse mënyra e vetme për të garantuar shkëputjen është që të respektojmë vendimin që u morr javën e kaluar dhe të sigurohemi që të largohemi (nga BE) më 22 maj", tha kryeministrja Theresa May,

Në një referendum të mbajtur në vitit 2016 votuesit britanikë vendosën për shkëputjen e vendit nga Bashkimi Evropian deri më 29 mars të këtij viti.

Por shumë ligjvënës dhe miliona qytetarë britanikë kanë ndryshuar qëndrim lidhur me procesin e komplikuar të “divorcit” nga BE-ja dhe ndikimin potencial të tij në ekonominë e vendit.

Bashkimi Evropian ka rënë dakort ta shtyjë datën e shkëputjes duke i dhënë afat qeverisë së zonjës May deri më 12 prill, për të qartësuar planet e saj.

Ndër opsionet mund të jetë i ashtuquajturi Brexit i butë, sipas të cilit Britania mban lidhje të ngushta ekonomike me BE-në, ose heqja dorë plotësisht nga Brexit-i dhe qëndrimi brenda BE-së.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG