Lidhje

Kryeministrja britanike i mbijeton votës së mosbesimit


Kryeministrja britanike, Theresa May, i mbijetoi një vote mosbesimi të kërkuar nga një grup deputetësh të partisë së saj.

Dyqind vota ishin në favor të saj, ndërsa 117 kundër.

Ajo u përball të mërkurën me një votë mosbesimi për shkak të siç u tha, dështimit të saj për të trajtuar procesin e largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Rezultati i votimit nënkupton se një votim tjetër mosbesimi mund të ndodhë pas një viti.

Kryeministrja May u zotua gjatë ditës se do ta luftojë këtë votë mosbesimi “me gjithçka që ka në duar”, duke nënvizuar se ndryshimi i udhëheqjes do të rrezikonte procesin e BREXIT-it. Ajo u zotua se do të tërhiqet para zgjedhjeve të vitit 2022.

Pas votimit të së mërkurës mbrëma, kryeministrja May, tha se do t’i vihet punës për ta larguar Britaninë nga Bashkimi Evropian.

"Ishte një ditë e gjatë dhe sfiduese, por në fund jam e kënaqur që mora mbështetjen e kolegëve në votimin e sontëm. Ndonëse jam mirënjohëse për këtë mbështetje, një numër i konsiderueshëm i kolegëve votuan kundër meje dhe unë i dëgjova ato cfarë thanë ata. Pas këtij votimi ne duhet t’i vihemi punës për të përfunduar BREXIT-in për qytetarët britanik dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për këtë vend”, tha ajo

Britania pritet të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars të vitit 2019, si rezultat i referendumit të vitit 2016.

Të dyja palët kanë punuar për një kohë të gjatë për marrëveshjen mbi kushtet e ndarjes, por ajo duhet të miratohet në parlament dhe më herët gjatë javës, kryeministrja May anuloi votimin e planifikuar, meqë dukej se ishte e sigurt që do të dështojë.

Kryeministrja May më pas u vu në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen nëpërmjet bisedimeve me udhëheqësit e Bashkimit Evropian, Por, ata ishin të prerë në mungesën e dëshirës për të rinegocuar kushtet e ndarjes.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha pas atij që ai e cilësoi “diskutim i gjatë e miqësor” me zonjën May të martën se është e qartë që vendet anëtare të BE-së duan të ndihmojnë zgjidhjen e situatës, por “çështja është si të ndodhë ajo”.

Zoti Tusk ka ftuar udhëheqësit e BE-së për një takim mbi BREXIT-in të enjten.

Zhvillimet e deritashme lënë të hapur mundësinë që 29 marsi t’a gjej Britaninë pa një marrëveshje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG