Lidhje

Obama përgëzon ukrainasit për zgjedhjet


Në Ukrainë, pas numërimit të më shumë se gjysmës së votave nga zgjedhjet e djeshme parlamentare, kryesojnë dy parti pro-evropiane. Ndërkohë, sot bombardime të rënda tronditën lagjet e jashtme të Donetskut, bazë e kryengritësve pro-rusë në Ukrainën lindore. Presidenti Barack Obama bëri sot një deklaratë ku përgëzon popullin e Ukrainës për organizimin me sukses të zgjedhjeve parlamentare dhe për një proçes votimi “paqësor dhe të rregullt”. Zyra e kryetarit të bashkisë së Donetskut tha se u dëgjua zjarr nga armë të rënda si dhe shpërthime të fuqishme.

Në Ukrainën lindore, në periferi të qytetit të Donetsk-ut, nën kontrollin e rebelëve pro-rusë, sot pati bombardime të rënda, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare të vendit.

Zyra e Kryetarit të Bashkisë të Donetsk-ut tha se u dëgjuan "luftime të zhurmëshme nga armët e fuqishme dhe shpërthimet."

Tensionet mbeten të larta në rajon, megjithë armëpushimin e arritur në shtator mes Kievit dhe separatistëve pro-rusë.

Rreth 3 milionë votues në Ukrainën lindore nuk mundën të votonin në zgjedhjet paralamentare të së dielës. Presidenti Petro Poroshenko tha se anketat e para pas zgjedhjeve tregojnë për një mbështetje të madhe për reformat demokratike të propozuara prej tij dhe për lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian.

"Rezultatet e zgjedhjeve sjellin një fitore të fuqishme për të gjitha forcat pro-evropiane, demokratike dhe pro-ukrainase. Kjo na jep shumë mundësi për reforma, për të paraqitur programin e "Strategjisë për vitin 2020", ku të ketë hapa kundër korrupsionit, për sundimin e ligjit, për reformat shëndetësore dhe për klimën e investimeve," tha zoti Poroshenko.

Dy anketime tregojnë se blloku i presidentit Petro Poroshenko dhe partitë e tjera pro-evropiane i kanë dominuar zgjedhjet. Zoti Poroshenko i falenderoi votuesit për mbështetjen e asaj që ai e quajti "një shumicë demokratike, reformiste, pro-ukraianse dhe pro-evropiane."

Sondazhet tregojnë se blloku i zotit Poroshenko ka siguruar 23 për qind të votave, një shifër kjo shumë më e vogël se shumica e nevojshme për krijimin e qeverisë.

Partia e Frontit Popullor e Kryeministrit Arseniy Yatsenyuk's doli e dyta në zgjedhje, me 21 për qind të votave.

Megjithëse i përkasin partive kryesore rivale, si zoti Poroshenko, edhe zoti Yatsenyuk kanë lidhje të ngushta me Bashkimin Evropian dhe kanë zhvilluar fushatë për reforma që shihen gjerësisht të nevojshme për ta nxjerrë vendin nga pragu i falimentimit. Bisedimet për formimin e kolaicionit mbahen sot.

XS
SM
MD
LG