Lidhje

Ukraina, parakushte për armëpushim afatgjatë me rebelët


Ministri i jashtëm i Ukrainës thotë se tërheqja e plotë e forcave ruse dhe armëve të tyre të rënda, është parakusht për një armëpushim të qëndrueshëm me separatistët.

Pavlo Klimkin dje u tha gazetarëve në selinë e Organizatëts së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork se Rusia duhet të tregojë vullnet politik për një armëpushim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Ai gjithashtu tha se mbyllja e kufirit mes Ukrainës dhe Rusisë dhe një marrëveshje mbi lirimin e pengjeve të mbajtura nga separatistët janë parakushtet kryesore për një armëpushim.

Rusia vazhdimisht ka mohuar praninë e ushtarëve të saj brenda Ukrainës apo armatosjen e separatistëve.

Zyrtarët ukrainas thonë se kanë filluar të tërheqin trupat dhe armët e rënda nga vijat e frontit, si pjesë e një marrëveshje me seperatistët për të krijuar një zonë të çmilitarizuar 30 kilometërshe.

Një udhëheqës i lartë separatist, Andrei Purgin, tha të hënën se ai nuk mund të thoshte se kur mund të arrihej një marrëveshje për një armëpushim të plotë. Por ai tha se tërheqja e armëve të rënda nga ushtria ukrainase do t’u mundësojë rebelëve të fillojnë riparimin e ndërtesave dhe infrastrukturës së dëmtuar para fillimit të dimrit.

XS
SM
MD
LG