Lidhje

Ukraina, ç'rrugë që do të ndjekë


Ndërkohë që udhëheqësit evropianë përpiqen të bindin Ukrainën të nënshkruajë marrëveshjen e tregtisë, shumë ukrainas janë të paqartë për të ardhmen e vendit të tyre. Pas dekadave me radhë nën sundimin sovjetik, pasuar nga një periudhë vartësie ekonomike tek Rusia, shumë ukrainas ndjehen të shqetësuar nga mundësia për të armiqësuar Moskën.

Zhernklyovy është një fshat i largët ukrainas, ku ndjehet ende influenca e Rusisë dhe e së kaluarës. Në vende të spikatura në fshat shihen monumente që kujtojnë fitore të luftrave sovjetike ndër të cilat një replikë e një avioni luftarak.

Aty pranë shihet një monument që kujton zinë e bukës të vitit 1933. Miliona ukrainas vdiqën nga uria nën programin e kolektivizimit gjatë Bashkimit Sovjetik të Stalinit.

Kryetari i Bashkisë, Grigory Timofiyovych, thotë se historia nuk harrohet.

Ai thotë se të gjithë dënojnë ngjarjet që çuan në tragjedinë e 1933, por ai thotë faji për të i bie Stalinit dhe askush nuk fajëson Rusinë.

Karroca me kuaj dhe traktorë të prodhimit rus shihen ende në rrugët e dëmtuara të fshatit. Një pjesë e madhe e produkteve bujqësore, patate e misër, eksportohet në Rusi.

Kryetari i Bashkisë thotë se njerëzit i tremben pasojave që mund të lindin po t’i kthejnë shpinën fqinjit të fuqishëm.

“Ekonomia po vuan”, thotë ai. “Ne kemi lidhje të forta me Rusinë, nuk mund t’i shkëpusim këto lidhje dhe të bashkohemi me BE”.

Fermeri Igor është ndër të paktët që dalin për të punuar në këtë mot të ftohtë. Ai thotë se tani nuk është momenti i përshtatshëm për të braktisur lidhjet me Rusinë, por ai shton se integrimi evropian është e ardhmja e Ukrainës.

“Personalisht nuk ia kam nevojën Evropës. Por për fëmijët, duhet patjetër të integrohemi në BE”.

Qindra kilometra në perëndim, në një palestër në Kiev, tensionet dallohen qartë ndërkohë që një grup të rinjsh përgatiten për ndeshje boksi. Boksierët e rinj vijnë këtu nga i gjithë vendi. Fituesit do të përfaqësojnë Ukrainën dhe shumë prej tyre kanë idhull Vitali Klitschko, kampion i peshave të rënda dhe politikan i opozitës, i cili mbështet forcimin e lidhjeve me Bashkimin Evropian.

16-vjeçari Oleg Skriplenko nuk është i sigurtë se ç’formë do të marrë e ardhmja e vendit.

“Pikësëpari dua që Ukraina të mbetet e pavarur. Nga ana tjetër, integrimi në Evropë është rruga e duhur pasi do të kemi viza udhëtimi. Por ka gjasa që ndryshimet të jenë shumë të mëdha dhe të dëmshme për ekonominë”.

Në rrugët e Kievit, mijëra të rinj mblidhen për vazhdimin e demostratave. Protestuesit shqetësohen se Ukrainës i shpëtoi një mundësi e rallë për të ardhmen evropiane. Ndër ta është studenti Andrey Maximif.

"Kemi dalë sot për të shprehur opinionin tonë për të ardhmen e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Ne besojmë se do të kemi shansin për një jetë më të mirë, do të kemi shanse më të mira për demokracinë në Ukrainë”.

Që nga qendrat e mëdha urbane e deri tek fshatrat e largët, e ardhmja e Ukrainës është ndër temat kryesore të debatit. Dilema është nëse ka ardhur koha për të hapur një rrugë të re, apo duhet vazhduar në rrugën e lidhjeve me partnerin e vjetër lindor.
XS
SM
MD
LG