Lidhje

Biden: SHBA mbështet qeverinë e re ukrainase


Nënpresidenti amerikan Joe Biden i telefonoi kryeministrit të Ukrainës Areni Jatseniuk për ta përgëzuar për formimin e qeverisë së re dhe për t’i përcjellë angazhimin për mbështetje amerikane, ndërkohë që Ukraina ndërmerr reforma për të stabilizuar ekonominë e vendit.
Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë thotë se nënpresidenti Biden theksoi se ky është një shans i rëndësishëm jo vetëm për të sjellë paqe dhe stabilitet në Ukrainë, por edhe për të rikthyer besimin e ukrainasve tek institucionet demokratike para zgjedhjeve të planifikuara në maj.

Zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetjen e tyre të plotë ndërkohë që Ukraina përpiqet për ripajtim, përmbush detyrimet ndërkombëtare dhe punon për marrëdhënie të hapura dhe konstruktive me të gjithë fqinjët.

Ndërkohë, kryeministri i ri i Ukrainës, Arseni Jatseniuk ka akuzuar qeverinë e ish-presidentit Viktor Janukoviç se ka vjedhur miliarda dollarë nga arka e shtetit. Parlamenti miratoi dje kandidaturën e zotit Jatseniuk si kryeministër i ri i vendit.

Zoti Yatseniuk tha se 70 miliardë dollarë nga fondet qeveritare të Ukrainës janë dërguar në llogari jashtë vendit gjatë tre vjetëve të fundit dhe se një kredi prej 37 miliardë dollarësh që mori vendi është zhdukur, duke lënë Ukrainën të zhytur në probleme financiare.
Arseni Jatseniuk, ish-ministri i jashtëm dhe i ekonomisë, i njohur për pikëpamjet pro-perëndimore, ka përballë detyrën e vështirë për të shmangur kolapsin e ekonomisë ukrainase.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian po dërgojnë ekipe për të analizuar nevojat e vendit. Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë për t’i dhënë Ukrainës garanci për 1 miliard dollarë kredi.
XS
SM
MD
LG