Lidhje

Ukraina paralajmëron masa kundër elementëve ekstremistë


Ministri i Brendshëm i Ukrainës thotë se forcat qeveritare të sigurisë kanë nisur atë që ai e quajti "fushatë anti - terroriste" në qytetin lindor të Slovyanskut, ku militantët prorusë kanë marrë në kontroll ndërtesat zyrtare.

Ministri Arsen Avakov shkruante sot në faqen e tij në Facebook se persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj forcave që përparonin dhe se nga të dyja palët ka patur të vdekur dhe të plagosur. Njoftimet për shkëmbime zjarri nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Dje Ukraina tha se sulmet nga militantët pro - rusë në Ukrainën lindore janë "akt i një agresioni të jashtëm" nga ana e Rusisë. Kievi paralajmëroi se zyrtarët e sigurisë po përgatiten të zbatojnë "një plan të kundërpërgjigjes operacionale."

Përveç Slovyanskut, militantët e armatosur me armë ruse vazhdojnë të mbajnë nën kontroll selinë e policisë në qytetet Donetsk dhe Kramatorsk me popullsi kryesisht rusishtfolëse.

Një numër forcash speciale të policisë, u shfaqën në selinë e policisë së Donetskut, duke thënë se ata do të sigurojnë arsenalin e armëve që ndodhet në ndërtesë.

Dëshmitarë të ndryshëm, duke përfshirë gazetarët perëndimorë, thanë se objekti i policisë në Kramatorsk u mor pas një përleshjeje me armë, por nuk pati njoftime për viktima.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, në një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, shprehu "shqetësim të madh" për sulmet e së shtunës, që sipas tij ishin të orkestruar dhe të sinkronizuar, të ngjashëm me sulmet e mëparshme në Ukrainën lindore dhe në Krime.
XS
SM
MD
LG