Lidhje

Roli i klerit në krizën aktuale në Ukrainë


Mes Rusisë dhe Ukrainës ka një lidhje të fortë fetare. Por çfarë roli po luan feja në konfliktin aktual?

Që në fillim të trazirave, kleri ka luajtur rol në demonstratat në Kiev dhe pjesë të tjera të Ukrainës. Profesor Andrei Zubov, ekspert i historisë së besimit shpjegon:

“Priftërinj nga kisha të ndryshme ortodokse, të kishës unitare, katolikë e të tjerë, ishin të bashkuar”.

Në një kohë kur klerikë të kishave të ndryshme në Ukrainë janë shprehur në mbështetje të udhëheqjes së re politike në Kiev, kleri i kishës ruse ka qëndruar i heshtur përballë zhvillimeve të fundit. Alexander Soldatov është gazetar rus që raporton për çështje të besimit:

“Kisha Ortodokse Ruse ende nuk ka shprehur qëndrimin e saj lidhur me Ukrainën. Ata nuk bënë thirrje për armpushim gjatë Pashkëve”.

Konflikti aktual në Ukrainë mund të sjellë një përçarje mes Kishës Ortodokse Ruse dhe kishave të tjera në Ukrainë. Kisha Ortodokse Ruse, e cila ka lidhje të forta me qeverinë ruse, nuk pranoi të bënte komente për këtë kronikë. Përsëri profesori Zubov:

“Nëse dalin në mbështetje të Presidentit Putin, kisha ruse në Ukrainë mund të shkëputet. Nëse mbështesin Ukrainën, mund të shkaktojnë probleme më të mëdha me administratën presidenciale ruse”.

Rreth 40% e besimtarëve ortodoksë në Ukrainë janë rusë ortodoksë. Zubov dhe Saldatov thonë se Patriarku i Kishës Ruse Kiril ka pasur përplasje me Presidentin Putin lidhur me konfliktin. Ata sjellin si shembull mungesën e Patriarkut Kiril në Kremlin më 18 mars kur Presidenti Putin mbajti fjalimin lidhur me Krimenë. Por prifti ortodoks ukrainas Yakov Krotov e hedh poshtë këtë ide:

“Zyrtarisht, kisha ruse mbështet plotësisht Putinin dhe zërat se Patriarku Kiril dhe Presidenti Putin kanë divergjenca janë thjesht thashetheme”.

Kleriku Krotov mendon se heshtja e Patriarkut Kiril është thjesht pa domethënie.

Soldatov vë gjithashtu në dukje se ndërkohë që kleri ishte aktiv në demonstratat në Kiev, nuk është parë prania e klerit rus në protestat pro-ruse në Ukrainën lindore.

“Në sheshin qendror në Kiev pati priftërinj të kishave të ndryshme, por nuk ka klerikë në barrikadat para ndërtesave qeveritare në Luhansk dhe Donetsk”.

Si për besimtarët rusë, ashtu edhe për ata ukrainas, Pashkët janë festa fetare më domethënëse e vitit. Këtë vit si Pashkët ortodokse, ashtu edhe ato katolike kremtohen në një ditë. Shumë besimtarë po luten që ukrainasit dhe rusët të shmangin acarimin e mëtejshëm të situatës së tensionuar.
XS
SM
MD
LG