Lidhje

Kievi: Moska vazhdon furnizimin e separatistëve


Ukraina thotë se Rusia ka dërguar dhjetra tanke, armatime të rënda, municione dhe ushtarë në Ukrainën Lindore, të mbështetur nga Kremlini.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Andriy Lysenko, tha sot se të paktën 32 tanke, 16 sisteme të hedhjes së raketave dhe 30 kamionë të ngarkuar me municione dhe luftëtarë nga Rusia, kanë kaluar kufirin, për në territorin ukrainas, që është nën kontrollin e separatistëve.

Zëdhënësi tha se pesë ushtarë ukrainas u vranë dhe mbi 12 të tjerë u plagosën në luftime në 24 orët e fundit. Hollësitë e këtij njoftimi nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Ukraina dhe Perëndimi shpesh e akuzojnë Moskën për mbështetjen e rajoneve separatiste të Donetskut dhe Luhanskut me armatime dhe trupa.

Rusia ka mohuar të ketë patur rol të drejtpërdrejtë në kryengritjen që i ka marrë jetën më shumë se 4 mijë njerëzve që nga muaji prill.

XS
SM
MD
LG