Lidhje

Bisedimet për Ukrainën, pa rezultat


Bisedimet midis negociatorëve të qeverisë ukrainase dhe homologëve të tyre separatistë pro-rusë nuk arritën ndonjë rezultat të dukshëm për t'i dhënë fund konfliktit tetë-mujor në Ukrainën lindore.

Udhëheqësit e separatistëve u cituan të kishin thënë se i vetmi rezultat i prekshëm i bisedimeve në Bjellorusi ishte një marrëveshje mbi kushtet e një shkëmbimi të të burgosurve prej rreth 400 personash.

Në përpjekjet e paqes janë përfshirë edhe zyrtarë rusë dhe ndërmjetësues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Qëllimi është që të konsolidohet një armëpushim i arritur në muajin shtator që i ka pakësuar luftimet.

Duke folur në televizionin shtetëror, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se dëshira e Ukrainës për anëtarësim në NATO paraqet rrezik për sigurinë evropiane.

Zoti Lavrov tha se disa vende perëndimore duan të përdorin kërkesën e Kievit për anëtarësim në NATO me qëllim që ta mbajnë ndezur krizën në Ukrainë dhe të nxisin konfrontimin midis Ukrainës dhe Rusisë.

NATO-ja e ka rritur praninë e saj ushtarake në Evropën Lindore këtë vit për shkak të mbështetjes së Rusisë ndaj kryengritësve në Ukrainën lindore.

Moska ka mohuar vazhdimisht se e mbështetjen rebelimin në këtë pjesë të Ukrainës.

XS
SM
MD
LG