Lidhje

Presidenti Obama paralajmëron Rusinë për masa izoluese


Presidenti Barack Obama paralajmëroi sot për masa që do "ta izolonin Rusinë" nëse nuk tërheq forcat ushtarake nga Ukraina. Presidenti Obama tha para një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e një sërë hapash ekonomike dhe diplomatike.

"Mendoj se bota është në përgjithësi në një zë se hapat që ka ndërmarrë Rusia përbëjnë një shkelje e ligjit ndërkombëtar", tha Presidenti Obama.

Ai shtoi se me kalimin e kohës kjo situatë do të jetë një ngjarje që do t'i kushtojë Rusisë. Presidenti Obama tha se përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund inkursionit, do të vazhdojnë. Ai gjithashtu i kërkoi Kongresit që të miratojë menjëherë një paketë masash për Ukrainën.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov tha sot se përdorimi i trupave ruse është i nevojshëm "deri në normalizimin e gjendjes politike " në Krime.

Ukraina ka akuzuar Rusinë se ka ndërmarrë një pushtim ushtarak dhe i kërkoi Moskës të tërheqë forcat, të cilat kanë rrethuar bazat ushtarake ukrainase në të gjithë Krimenë dhe kanë ngritur postblloqe.

Nën Presidenti amerikan Joe Biden bisedoi sot në telefon me kryeministrin e Rusisë Dmitry Medvedev. Shtëpia e Bardhë tha se zoti Biden i bëri thirrje Rusisë të tërhiqet nga Ukraina, të mbështesë një mision vëzhguesish ndërkombëtarë në Ukrainë dhe të fillojë dialogun me qeverinë e Ukrainës.

Sipas shtypit rus, zëdhënësi i zotit Medvedev tha se biseda ishte zhvilluar me kërkesë të palës amerikane dhe se zoti Medvedev kishte theksuar “nevojën për mbrojtjen e qytetarët ukrainas, përfshirë ata në Krime, si dhe të qytetarëve rusë që ndodhen në territorin e Ukrainës”.

Po të hënën, zoti Medvedev nënshkroi një dekret për të filluar ndërtimin e një ure mbi ngushticën e Kerçit për të lidhur Krimenë me rajonin rus të Krasnodarit.

Ndërkohë agjencia ruse e lajmeve Interfax citonte të hënën zyrtarë të paidentifikuar në ministrinë e Mbrojtes të Ukrianës të kishin thënë se komandanti i flotës ruse të Detit të Zi, Alexander Vitko i kishte dhënë forcave të Ukrainës ultimatum për t’u dorëzuar deri të martën në orën 5 të mëngjesit sipas kohs lokale, ose përndryshe forcat ruse do të sulmonin.

Sipas shtypit rus aeroplanë luftarakë rusë kanë fluturuar mbi Detin e Zi të hënën në orët e para të agimit.

Po sot ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, dënuan atë që e cilësuan si “agresion i forcave ruse” kundër Ukrainës duke shkelur sovranitetin dhe integritetin e këtij vendi dhe i bënë thirrje Moskës të tërheqë menjëherë forcat e saj në përputhje me marrëveshjen që ka nënshkruar me Ukrainën në vitin 1997.

Bashkimi Evropian, iu bashkua Shteteve të Bashkuara duke pezulluar pjesëmarrjen në aktivitetet që lidhen me takimin e Grupit të Tetëshes, që ishte në plan të zhvillohej në Soçi në muajin qershor.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do të shkojë në Ukrainë nesër.
Të djelën ai kritikoi ashpër ndërhyrjen ruse në Krime, duke e quajtur atë “një akt të pashembullt agresioni, në shkelje me ligjin ndërkombëtar”.

Ministria e Jashtme ruse lëshoi sot një deklaratë ku shprehej se komentet e zotit Kerry përbëjnë “një kërcënim të papranueshëm”. Deklarata thekson më tej se zoti Kerry flet me gjuhën e Luftës së Ftohtë dhe se Shtetet e Bashklaura dhe aleatët e tyre “mbyllin sytë” përpara asaj që deklarata e quante “rusofobi dhe anti-semitizëm” të protestuesve që morrën pushtetin në Kiev.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha gjithashtu se lidhur me situatën në Ukrainë, Rusia dhe Kina kanë pikëpamje që përkojnë.

Sekretari i Jashtëm britanik William Hague ishte të hënën në Ukrainë për t'u takuar me udhëheqësit e vendit dhe bëri një vizitë në Sheshin Pavarësia të Kievit.

Zoti Hague tha se Rusia duhet të respektojë sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Ukrainës.

"Çështja nuk mund të zgjidhet nëse Rusia nuk bindet për të respektuar sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Ukrainës. Do të duhet të ketë pasoja të tjera dhe kosto të tjera, por unë nuk do të komentoj sot se cilat mund të jenë këto pasoja. Ne do të veprojmë të bashkuar me vendet e tjera" tha sekretari Hague.

Zoti Hague fajësoi Rusinë për krijimin e një gjendjeje "shumë të tensionuar" dhe "të rrezikshme".

Qeveria e përkohshme e Ukrainës ka urdhëruar një mobilizim të plotë ushtarak në përpjekje për t'i bërë ballë atij që kryeministri Arseniy Yatsenyuk e ka quajtur një akt lufte nga ana e Rusisë.

Ndërkohë , Kryeministri rus, Dimitri Medvedev, tha se presidenti i rrëzuar Viktor Janukoviç është ende udhëheqës i ligjshëm i Ukrainës dhe se ishte hequr në mënyrë të paligjshme nga pushteti.

Të djelën agjencitë ruse të lajmeve thanë se Presidenti Putin i kishte thënë Presidentit Obama gjatë bisedës telefonike të së shtunës se Moska rezervon të drejtën të mbrojë banorët me origjinë ruse në Krime dhe në Ukrainën lindore.

Trazirat në Ukrainë filluan në nëntor, kur Presidenti Janukoviç u tërhoq nga një marrëveshje me Bashkimin Evropian në shkëmbim të forcimit të lidhjeve me Rusinë. Ky hap shkaktoi trazira në mbarë vendin dhe e detyroi presidentin Janukoviç të largohej nga kryeqyteti në fund të muajit shkurt.
XS
SM
MD
LG