Lidhje

SHBA në kërkim të aseteve të vjedhura të Ukrainës


Shtetet e Bashkuara thonë se janë të vendosura t’i kthejnë Ukrainës miliarda dollarë që dyshohet se janë vjedhur kur Presidenti Viktor Janukoviç u rrëzua nga pushteti në shkurt. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klain, ky proces ka të ngjarë të jetë i gjatë dhe i vështirë.

Kur presidenti Viktor Janukoviç iku nga Ukraina dhe presidenca e tij, ukrainasit ishin në gjendje të shihnin disa nga gjërat që ishin blerë me pasurinë që ai akuzohet se ka vjedhur.

Tani, Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Eric Holder thotë se Uashingtoni dhe aleatët e tij duan të gjejnë paratë e vjedhura dhe t’ia kthejnë Ukrainës.

"Ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë realitet, pra t’ia kthejmë popullit të Ukrainës paratë e vjedhura".

Zoti Holder foli në Londër në bisedimet mes 35 vendeve mbi mënyrat për të ndihmuar Ukrainën të rimarrë asetet e saj.

"Mendoj se është e sigurt të them se bëhet fjalë për miliarda dollarë amerikanë. Dhe mendoj se kjo tregon madhësinë e problemit dhe rëndësinë e tij".

Shuma e parave që zoti Janukoviç mori mund të jetë deri në 20 miliardë dollarë, thotë Gary Hufbauer, analist në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare.

"Kur u largua nga Ukraina, ai mori me vete 1 miliard dollarë në para të gatshme, dhe pasi arriti në Moskë ai bleu me para të gatshme një pallat luksoz me vlerë 50 milionë dollarë".

Zoti Hufbauer thotë se gjetja e aseteve mund të jetë e vështirë nëse ish presidenti Janukoviç nuk i ka depozituar ato në bankat perëndimore.

"Nëse paratë kanë shkuar përtej Evropës Perëndimore, si për shembull në Argjentinë apo në Indonezi atëherë gjetja e tyre do të jetë shumë më e vështirë, sepse këto vende nuk do të bashkëpunojnë me autoritetet perëndimore në përpjekjet për gjetjen e këtyre parave".

Megjithatë, zoti Hufbauer thotë se zoti Janukoviç mund të ketë ikur shumë shpejt dhe nuk mund të ketë patur kohë të mjaftueshme për të fshehur paratë.

"Rrëzimi i tij ishte shumë i papritur dhe ai nuk mund të ketë patur shumë kohë për të krijuar kompani falso dhe pastaj të tërhiqte paratë nga bankat perëndimore".

Analisti Gary Hufbauer beson se procesi i kthimit të parave të Ukrainës në Ukrainë ka të ngjarë të marrë disa vjet.
XS
SM
MD
LG