Lidhje

Sanksionet përëndimore dëmtojnë ekonominë ruse


Kriza në Ukrainë duket se po i shkakton dëme serioze ekonomisë së Rusisë. Edhe pse udhëheqësit rusë kanë minimizuar ndikimin e sanksioneve të fundit amerikane dhe evropiane, analistët thonë se kapitali ka filluar të largohet nga vendi, ndërsa investitorët përpiqen të shmangin rrezikun duke investuar në vende më të sigurta. Duke marrë parasysh rritjen e vogël të ekonomisë ruse, analistët paralajmërojnë se vendi mund të hyjë në një recesion ndërkohë që zemërimi ndërkombëtar dhe sanksionet ekonomike vazhdojnë të intensifikohen. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mil Arcega sjell hollësitë.

Rusia është ekonomia e nëntë në botë. Vitin e kaluar ajo pati një rritje të vogël prej vetëm 1.3 përqind. Por këtë vit, rritja e ekonomisë së Rusisë është në pikëpyetje. Rezervat ruse kanë rënë rreth 14 përqind këtë vit, rubla ka rënë 11 përqind kundrejt dollarit , dhe inflacioni ka të ngjarë të arrijë në 7 përqind në muajin mars.

Dobësia ekonomike e kombinuar me kërcënimin për më shumë sanksione ishte e mjaftueshme, për organizatën e vlerësimit të kreditit, Standard and Poor që të ul parashikimet për ekonominë ruse nga "e qëndrueshme" në "negative".

John Chambers është kryetar i komisionit të vlerësimit të kreditit, S & P Sovereign.


"Pra, klima e dobët e investimeve dhe disponimi jo i mirë i investitorëve tashmë ka shkaktuar uljen e parashikimeve tona të rritjes ekonomike për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm. Ne kemi dhënë një opinion negativ pasi vlerësimet për ekonominë ruse nuk janë më të qëndrueshme".

Investitorët kanë tërhequr rreth 70 miliardë dollarë nga ekonomia e Rusisë që nga fillimi i krizës. German Gref, drejtori i bankës shtetërore të Rusisë, Sberbank, paralajmëron se vendi mund të hyjë në recesion nëse kjo prirje vazhdon.

"Çdo gjë varet nga skenaret që ne do të shohim dhe nga zhvillimet e ardhshme. Nëse ikja e kapitalit arrinë në 100 miliardë dollarë, rritja ekonomike ka të ngjarë të jetë zero".

Por Rusia nuk është tërësisht e pafuqishme. Banka e saj qendrore ka kapacitet të mjaftueshëm për të mbuluar një eksod të madh të kapitalit. Ajo gjithashtu mund të regojë duke ndalur eksportet e gazit në Evropë, e cila mbështetet në Rusinë për rreth një të tretën e nevojave të saj energjetike.

Mark Hamrick i cili punon për Bankrate.com thotë se shkallëzimi i situatës mund të ketë pasoja të paparashikuara për Bashkimin Evropian.

"Është fjala për pasoja të paparashikueshme nga një shkallëzim i krizës. Pra, çfarë do të ndodh nëse Rusia fillon të kundërpërgjigjet? Nëse situata shkallëzohet edhe më tej, çështja e furnizimit të Evropës me karburant vihet një pikëpyetje".

Nëse kjo ndodh, pasojat ekonomike do të mund të përhapeshin në mbarë globin. Por kjo do të dëmtonte Rusinë, e cila merr më shumë se 50 përqind të të ardhurave të saj nga eksportet e energjisë.

Një mënyrë për të kuptuar nëse sanksionet janë të suksesshme është ndikimi i tyre i drejtpërdrejt te qytetarët e thjeshtë, thotë profesori i Universitetit të Bostonit, Igor Lukes.

"Pra unë mendoj se për të qenë të suksesshme, sanksionet duhet të kenë një ndikim në standardin e përgjithshëm të jetesës në vend, i cili pastaj shkakton një rënie në entuziazmin e tanishëm të publikut rus për zotin Putin".

Kjo tashmë mund të ndodh. Çmimet e artikujve ushqimorë dhe artikujve të importuar janë duke u rritur. Dhe disa banorë të Moskës kanë raportuar për probleme në qasje në fondet e tyre në bankat të cilat janë objektiv i sanksioneve amerikane dhe evropiane.
XS
SM
MD
LG