Lidhje

Përgatitjet për referendum në rajonin e Donetskit


Përgatitjet për referendumin e separatistëve pro-rusë në Donetsk po vazhdojnë sot, një ditë para se banorët do të votojnë për të vendosur nëse ky rajon do të shkëputet nga Kievi, për t’u bërë shtet i pavarur.

Referendumi po organizohet nga kryengritësit pro -rusë që e quajnë veten përfaqësues të Republikës Popullore të Donetskit.

"Anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve janë vullnetarë, njerëz të thjeshtë të cilët nuk paguhen. Anëtarët e familjeve, bashkëshortët dhe vëllezërit e tyre do të kujdesen për rendin dhe ligjin në qendrat e votimit. Ne gjithashtu kemi forcat policore rajonalë, që do të ruajnë rendin në qendrat e votimit", thotë shefi i komisionit për organizimin e referendumit, Roman Lyagin.

Kryengritësit pro-rusë kanë pushtuar ndërtesat qeveritare në këtë rajon gjatë muajit të kaluar, kanë ngritur postblloqe dhe kanë marrë kontrollin e disa qyteteve.

Qëllimi përfundimtar i këtij referendumi nuk është i qartë.

Organizatorët në Donetsk thonë se, nëse shumica e banorëve votojnë në favor të shkëputjes nga Kievi, më pas ata do të vendosin në qoftë se duan të jenë të pavarur, të bashkohen me Rusinë, apo të bien dakord për të mbetur pjesë e Ukrainës, por me një autonomi shumë më të madhe.

Edhe rajoni fqinj i Luhanskit pritet të organizojë një referendum të ngjashëm.

Më shumë se gjashtë milionë njerëz jetojnë në këto dy rajone.

Referendumet janë të ngjashme me atë që u mbajt në Krime në mars, i cili i parapriu aneksimit të këtij gadishulli strategjik ukrainas në Detin e Zi, nga Rusia.

Ukraina dhe Perëndimi thonë se nuk do të njohin legjitimitetin e këtyre referendumeve dhe akuzojnë Rusinë për nxitjen dhe orkestrimin e trazirave në lindje, akuza të cilat Kremlini i ka mohuar.

Nuk është e qartë nëse rezultatet e referendumeve do të njihen nga Moska pas thirrjes së presidentit rus Vladimir Putin për shtyerjen e referendumit në Donetsk.

Referendumet pritet të rrisin tensionet në Ukrainë lindore, e cila është përfshirë nga kryengritja dhe përleshjet sporadike midis militantëve pro -rusë dhe forcave të Ukrainës në javët e fundit.
XS
SM
MD
LG