Lidhje

Yanukovych fajëson kundërshtarët e tij për krizën në Krime


Ish presidenti ukrainas Viktor Yanukovych, që u rrëzua nga pushteti, fajësoi sot kundërshtarët e tij për lëvizjet e Krimesë që të shkëputet nga Ukraina dhe shtoi se ai vazhdon të jetë presidenti dhe komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të vendit.

Zoti Yanukovych i bëri këto komente nga qyteti Rostov-mbi-Don, në Rusi, në daljen e tij të dytë në publik, që kur u largua nga Kievi muajin e kaluar, pas disa muaj protestash anti-qeveritare.

Ish-udhëheqësi ukrainas i cilësoi si ektremistë autoritetet e përkohëshme të vendit dhe i quajti zgjedhjet e planifikuara për në 25 maj si “jolegjitime” dhe “të paligjshme”.

“Ju, që morët pushtetin në mënyrë të paligjshme, herët a vonë dhe gjasat janë që të ndodhë herët, do të jepni përgjigje për urdhrat për të hapur zjarr. Do të përgjigjeni për torturat që po kalojnë njerëzit. Ukraina po kalon një periudhë të vështirë. Për fajin tuaj, Krimea po shpërbëhet”.

Zoti Yanukovych përsëriti se do të kthehet në Kiev sapo të jetë e mundur.
Ai po ashtu foli me tone të ashpra për Shtetet e Bashkuara dhe për ofertën për ndihmë prej 1 miliardë dollarësh, si garanci për qeverinë e re, duke thënë se qeveria amerikane “nuk ka të drejtë t’u ofrojë para banditëve”.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius tha sot në një intervistë për radion franceze, se Perëndimi mund të vendosë sanksione ndaj Rusisë që këtë javë, në se Moska nuk i përgjigjet pozitivisht propozimit për ta qetësuar krizën në Krime.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit janë tensionuar pas marrjes së së kontrollit nga forcat ruse të gadishullit ukrainas të Krimesë. Kriza në Krime filloi në fund të muajit të kaluar, pas rrëzimit nga pushteti të zotit Yanukovych.

Moska ka mohuar zyrtarisht pjesëmarrjen e trupave të saj në pushtimin e Krimesë. Por dëshmitarët thonë se personel ushtarak me uniforma pa simbole mbërritën me automjete ruse në fillim të muajit dhe e kanë pranuar që janë rusë.

Gjendja ndërlikohet më tej nga planet e Krimesë për të mbajtur një referendum më 16 mars për t’u bashkuar me Rusinë, një votim që zoti Fabius dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë e kanë quajtur “të paligjshme”.

Nesër Presidenti Barack Obama takohet me kryeministrin e përkohshëm të Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk në Shtëpinë e Bardhë.
XS
SM
MD
LG