Lidhje

E ardhme e pasigurt për civilët në Donetsk


Ndërkohë që luftimet në Ukrainën lindore kërcënojnë marrëveshjen e paqes, popullata civile e lodhur nga lufta, ndodhet në mes të zjarrit. Në zonat e kontrolluara nga separatistët pro-rusë, shumë civilë kanë prirjen të fajësojnë për luftimet autoritetet e Kievit, por shumica e tyre duket se janë më të interesuar për paqe se sa për një shkëputje nga Ukraina.

Edhe në qoftë se më në fund vendoset paqja, përpjekjet për të bërë për vete popullatën, do të jenë një sfidë e madhe.

Banorja e Donetskut, Yekaterina thotë se një shpërthim i papritur më korridorin e shtëpisë së saj e zgjoi atë nga gjumi.

Ajo thotë se nuk e dinë se nga erdhi sulmi, ndërkohë që predhat shpesh fluturojnë nga të dyja anët e shtëpisë së saj, por për fat të mirë askush nuk është lënduar.

"Si mund të mbijetojë në këtë shtëpi të vogël? Unë nuk kam bodrum. Unë nuk mund të vrapoj për t’u strehuar në kuzhinë, sepse jam e moshuar".

Edhe një treg aty pranë u godit nga predhat. Banorët e kësaj zone në veri të stacionit të trenit në Donetsk thonë se predhat bien këtu pothuajse çdo natë, por ata që kanë mbetur në qytet, si Yekaterina, mendojnë se qëndrimi në qytet është opsioni i tyre më i mirë.

"Jam e gatshme të përballem me urinë, për aq kohë sa ata nuk qëllojnë në drejtimin tim. Unë dua të vdes, por jo nga bombardimet, jo nga predhat e frikshme".

Në një tjetër lagje, disa njerëz kalojnë natën në një bunker nëntokësor.

Baba Masha dhe familja e saj kanë jetuar këtu që nga nëntori, kur një predhë goditi shtëpinë e fqinjëve të tyre dhe forca e shpërthimit theu edhe dritaret e shtëpisë së tyre.

"Unë shpresoj se së shpejti ne do të kthehemi në shtëpi. Në qoftë se nuk do të kishte luftë, ne do të jetonim në këtë shtëpi të dëmtuar".

Ira Batura thotë se në bunker kanë kaluar natën deri në 28 fëmijë dhe nganjëherë atyre u ndërpriten uji dhe dritat.

"Na thanë se nuk ka më armëpushim, ai është shkelur plotësisht. Ne thjesht ulemi këtu, të frikësuar, pa e ditur se çfarë do të ndodhë më pas".

Ndërsa Kievi dhe qeveritë perëndimore thonë se Rusia është duke nxitur konfliktin, Batura thotë se presidenti Petro Poroshenko është përgjegjës për luftimet. Ajo nuk është e sigurt nëse mund t’i besojë autoriteteve në Kiev.

"Çfarë besimi? Çfarë shteti? Besimi është thyer. Nuk ka më shtet. Unë dyshoj se njerëzit do të mund të bashkohen përsëri. Si mund të ndodhë kjo kur njerëzit tashmë po e shajnë atë?"

Por Batura thotë se ata nuk janë kundër të qenit pjesë e Ukrainës, për aq kohë që ekziston një zgjidhje e qëndrueshme politike.

"Në qoftë se ata e bëjnë këtë në mënyrë paqësore dhe ndalojnë sulmet dhe luftën atëherë njerëzit do ta pranojnë këtë".

Por Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë thotë se shkeljet e armëpushimit janë shtuar. Dhe, ndërsa jeta vazhdon, perspektivat e menjëhershme për paqe nuk janë të mira.

XS
SM
MD
LG