Lidhje

Seperatistët pushtojnë ndërtesat qeveritare në Luhansk


Qindra separatistë pro-rusë dje pushtuan ndërtesa të tjera të qeverisë së Ukrainës pranë kufirit rus, duke marrë nën kontroll zyrën e prokurorit në Luhansk dhe duke sulmuar një stacion policie me shkopinjë dhe armë automatike.

Autoritetet lokale thonë se policia nuk bëri rezistencë, dhe dëshmitarët thanë se persona të armatosur ngritën flamurin e separatistëve në selinë e qeverisë në qytetin me 450 mijë banorë.

Pushtimi i këtyre ndërtesave në Luhansk u jep rebelëve pro-rusë kontrollin e kryeqytetit të dytë provincial në lindje, pasi dje separatistët morën nën kontrollin qytetin e Donetskit dhe vendosën të organizojnë një referendum për shkëputje me 11 maj. Një votim i ngjashëm muajin e kaluar çoi në aneksimin e gadishullit të Krimesë nga Rusia.

Veprimet e fundit vijnë ndërkohë që rifilluan negociatat për lirimin e shtatë vëzhguesve evropianë të marrë peng javën e kaluar në qytetin e afërt të Slovjanskit.
XS
SM
MD
LG