Lidhje

Arrihet marrëveshje për armëpushim në Ukrainë


Udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës u dhanë fund sot bisedimeve maratonë në Minsk të Bjellorusisë me një marrëveshje armëpushimi që synon dhënien fund luftimeve disa mujore që kanë lanë mijëra të vrarë në Ukrainën lindore. Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë sot se marrëveshja “përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe rivendosjes së sovranitetit të Ukrainës”. Megjithatë, në deklaratë thuhet se “prova e vërtetë e marrëveshjes do të jetë zbatimi i saj i plotë dhe i qartë, përfshirë ndaljen e armiqësive dhe rivendosjen e kontrollit të Ukrainës në kufijtë e saj me Rusinë." Edhe ndërsa armëpushimi u njoftua sot, zyrtarët e ushtrisë ukrainase thanë se më shumë tanke dhe armë të rënda kaluan në territorin e Ukrainës nga Rusia gjatë natës.

Bisedimet për armëpushimin zgjatën 16 orë dhe palët ranë dakort që ai të hyjë në fuqi të djelën më 15 shkurt. Pas takimit, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se armëpushimi ofron një shpresë të zbehtë për t’i dhënë fund gjakderdhjes.

“Gjatë 16 orë negociatash na u desh të punonim shumë. Presidenti i Ukrainës ka bërë gjithçka të mundshme për t’i dhënë fund gjakderdhjes në vendin e tij por edhe për popullsinë civile dhe ushtarët në zona si Donetsk dhe Luhansk që po kalojnë vuajtje të renda. Tani kemi një dritëz shprese. Ramë dakord në zbatimin gjithpërfshirës të marrëveshjes së Minskut por patjetër që duhet ndërmarrë hapa konkretë ndërsa kemi pengesa të mëdha përpara nesh.”

Presidenti rus Vladimir Putin tha se pjesmarrësit në takim arritën të bien dakord për çështjet kryesore, përfshi tërheqjen e armëve të rënda nga zona e konfliktit.

“Nuk ishte nata ime më e mirë por është një mëngjes i mirë sepse arritëm një marrëveshje të rëndësishme. Arsyeja që u desh kaq kohë të arrihej marrëveshja është se fatkeqësisht autoritetet e Kievit refuzojnë të zhvillojnë kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e republikave të Donetskit dhe Luhanskit.”

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha se marrëveshja e arritur në Minsk ishte e vështirë dhe se ai u kishte rezistuar presionit dhe kushteve që ai i cilësoi të papranueshme që i ishin vënë gjatë bisedimeve.

“Na u vunë kushte të ndryshme të papranueshme, kushte për tërheqje apo dorëzim. Nuk u dorëzuam ndaj asnjë ultimatumi dhe mbrojtëm qartë pozitën tonë për njoftimin e armëpushimit pa kushte paraprake.”

Të gjitha palët në bisedime po ashtu njoftuan në konferenca të veçanta shtypi se ka mospajtime. Ne nuk kemi iluzione, tha kancelarja gjermane Angela Merkel, duke shtuar se ka shumë punë për t’u bërë. Nga ana tjetër, ka njoftime se edhe rebelët pro-rusë e kanë pranuar marrëveshjen për armëpushimin. Por edhe ndërsa marrëveshja po nënshkruhej në Minsk, zyrtarë ushtarakë ukrianas thanë se tanke dhe armë të tjera të rënda ruse hynë në territorin e Ukrianës nga Rusia gjatë natës.

XS
SM
MD
LG