Lidhje

Kryeministri ukrainas jep dorëheqjen


Kryeministri i Ukrainës Arseniy Yatsenyuk tha dje se po jepte dorëheqjen, duke i hapur rrugën formimit të një qeverie të re në përpjekje për t'i dhënë fund krizës politike. Dorëheqja pason dështimin e një vote mosbesimi ndaj tij në parlament dhe kritikave se ai nuk ka bërë mjaft për përmirësimin e ekonomisë së vendit. Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko i bëri thirrje deputetëve të paralamentit që të të krijojnë menjëherë një koalicion dhe të votojnë për zgjedhjen e një kryeministri të ri.

Dorëheqja e kryeministrit ukrainas Arseniy Yatsenyuk vjen pas një trysnie në rritje kundër tij për t’u larguar nga qeveria. Pas njoftimit për dorëheqje, ai bëri thirrje që të formohet menjëherë një qeveri e re.

Arseniy Yatsenyuk, Kryeministër i Ukrainës:

"Ne nuk mund të lejojmë destabilizimin e ekzekutivit, në një kohë kur vendi është në luftë. Një perspektivë e tillë është e pashmangshme, por mund të ndryshojë nëse menjëherë pas kësaj dorëheqjeje, formohet një qeveri e re".

Arseniy Yatsenyuk tha në një fjalim televiziv se ai shpreson që dorëheqja e tij t’i japë Ukrainës një mundësi për të miratuar reforma të reja zgjedhore, kushtetuese dhe gjyqësore, dhe për të hyrë në Bashkimin Evropian e në NATO.

Kabineti i tij i shpëtoi një vote mosbesimi në shkurt, por dy parti u larguan nga koalicioni qeverisës pas dështimit të përpjekjes për ta rrëzuar atë. Zoti Yatsenyuk është kritikuar për keqësimin e ekonomisë së Ukrainës dhe ritmin e ngadaltë të reformave.

Nëse ligjvënësit nuk bien dot dakord për një kryeministër të ri, vendi mund të hyjë në zgjedhje të parakohshme. Por Presidenti Petro Poroshenko po përpiqet t’i shmangë zgjedhjet nga frika se ato mund të shkatojnë një destabilizimi të mëtejshëm të vendit.

Në dy vitet e fundit, forcat e Kievit kanë luftuar kundër separatistëve pro-rusë për kontrollin e Ukrainës lindore dhe gjatë përleshjeve janë vrarë më shumë se 9,000 luftëtarë dhe civilë. Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë, i cili mbetet nën kontrollin rus.

XS
SM
MD
LG