Lidhje

Ukrainë, protesta kundër pezullimit të integrimit në BE


Në Ukrainë, udhëheqësit e opozitës kërcyen mbi barrikadat e policisë gjatë një proteste të zhvilluar sot jashtë një ndërtese qeveritare në Kiev, ndërkohë që kryeministri i vendit po fliste në një mbledhje të qeverisë. Ukraina njoftoi javën e kaluar se po ndërpriste përpjekjet për integrim në Bashkimin Evropian në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë, gjë që ka shkaktuar protesta.

Nën brohoritjet e protestuesve të mbledhur përpara ndëresës së kryeministrisë, udhëheqësit e opozitës, Vitali Klitschko, Oleg Tyagnibok dhe Arseniy Yatsenyuk kërcyen mbi gardhin e sigurisë dhe goditën me grusht derën kryesore në përpjekje për të hyrë në ndërtesë.

Ndërkohë qindra policë që ruanin jashtë vëzhgonin skenën.

Ukraina njoftoi javën e kaluar se po ndërpriste përpjekjet për integrim në Bashkimin Evropian, duke thënë se nuk është në interes të ekonomisë së vendit të sakrifikohet tregtia me Rusinë dhe se preferonte të përqëndrohej në rivendosjen e lidhjeve me Moskën.

Mijëra njerëz kanë dalë nëpër rrugë për të protestuar kundër këtij vendimi.
Brenda ndërtesës, kryeministri Mykola Azarov riafirmoi vendimin kundër integrimit në BE, duke thënë se ky vendim është marrë për të mbrojtur interesat e ukrainasve dhe për të shmangur një krizë social-ekonomike.

"Ne do të luftojmë pa mëdyshje, pasi është e qartë se në Ukrainë duhet të kemi vlera evropiane," tha zoti Klitschko jashtë ndërtesës së kryeministrisë.
"Anëtarët e Parlamentit kanë të drejtë të hyjë në çdo ndërtesë të qeverisë mjafton të tregojnë dokumentet. Këtu ne shohim 300 protestues dhe 3 mijë policë. Kjo nuk është demokratike," tha ai.

Dje, Presidenti Viktor Janukoviç përsëriti se vendi i tij nuk është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje të rëndësishme me Bashkimin Evropian për integrimin, por tha se megjithatë do të marrë pjesë në një takim ku është planifikuar të nënshkruhet një marrëveshje për bisedime të mëtejshme.

Tubime të tjera janë planifikuar për t'u zhvilluar në prag të takimit dhe gjatë fundjavës.

Megjithëse protestat kanë qenë kryesisht paqësore, policia ka përdorur gazin lotsjellës në disa përleshje me aktivistët radikalë.
XS
SM
MD
LG