Lidhje

Vazhdojnë tensionet në Ukrainë


Forcat speciale të policisë ukrainase u vendosën pranë një ndërtese qeveritare të zaptuar nga protestuesit në kryeqytet, përpara përfundimit të një afati të caktuar nga gjykata për lirimin e saj.

Ky dislokim erdhi pasi Presidenti i Ukrainës Viktor Yanukovych ra dakord që të bisedonte me tre ish-presidentë me shpresën për të zgjidhur krizën. Policët, të pajisur me helmeta dhe mburoja, formuan një barrikadë përgjatë gjithë rrugës kryesore të Kievit në afërsi të bashkisë dhe Sheshit të Pavarësisë.
Kreu i opozitës Vitali Klitschko luti policinë të mos përdorë forcë kundër protestuesve anti-qeveritarë.

"Jam i sigurt se çdo përdorim i forcës do të shkaktojë një reagim të fortë nga shoqëria. Situata e tanishme është e tensionuar si një fill i tendosur dhe mund të ndryshojë në të dyja drejtimet. I bëjmë thirrje forcave të rendit të mos përdorin forcë kundër demonstruesve paqësorë. Rezultati i atij veprimi mund të jetë tronditës, jo vetëm sa i përket rrahjes së protestuesve, por dhe për efektin që do të kishte në të gjithë shoqërinë."

Zoti Klitschko dhe udhëheqësi tjetër i opozitës Arseniy Yatsenyuk iu drejtuan protestuesve të mbledhur sot në Sheshin e Pavarësisë të kryeqytetit. Zoti Yatsenyuk tha se shpresonte që policia të lejonte që ushqimet, makinat dhe pajisjet e ndihmës së shpejtë të arrinin tek protestuesit.

"Tani për tani, kryetari i policisë ka premtuar se do të hapin një korridor. Nëse nuk e bëjnë, situata do të keqësohet", - tha ai.

Për të shmangur mundësinë e përleshjeve, aktivistët e opozitës u kanë kërkuar protestuesve të lirojnë ndërtesat qeveritare apo godina të tjera që kanë zaptuar. Por prania e policisë ka shtuar shqetësimet se qeveria ka në plan të shpërndajë me forcë protestat masive që kanë pushtuar kryeqytetin e Ukrainës.

Protestues anti-qeveritarë rrëzuan dje statujën e Leninit në qendër të Kievit, gjatë incidenteve të fundit të protestave kundër qeverisë së Presidentit Yanukovych.

Zoti Janukoviç po përballet prej javësh me protestave pas vendimit për të mos nënshkruar një traktat me Bashkimin Evropian muajin e kaluar, duke preferuar forcimin e lidhjeve me Moskën.

Qeveria ka kërkuar që protestuesit të shpërndahen dhe ka kërcënuar se do të ndërmarrë masa të ashpra.


XS
SM
MD
LG