Lidhje

Ukrainë: Vazhdojnë protestat


Protestuesit morrën sot nën kontroll një ndërtesë qeveritare në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ndërkohë që mbajnë të rrethuar disa zyra guvernatorësh në pjesën perëndimore të vendit, duke shtuar presionin ndaj qeverisë. Ky hap pasoi marrjen nën kontroll dje të disa zyrave lokale në disa rajone perëndimore të Ukrainës.

Protestuesit ukrainas vazhdojnë të përballen me forcat e sigurimit, ndërsa udhëheqësit e opozitës bëjnë thirrje për qetësi. Udhëheqësit e opozitës dolën dje vonë nga bisedimet mbi krizën me Presidentin Viktor Janukoviç, duke thënë se ai as që nuk i mori në konsideratë kërkesat e tyre për t’u larguar nga detyra.

“Bisedime për orë të tëra për asgjë. Tani e kuptoj, të ulesh në të njetën tavolinë me njeriun që ka vendosur t’ju gënjejë juve, është diçka pa kuptim”.

Udhëheqësit e opozitës dhe përkrahësit e tyre kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së Kryeministrit Mykola Azarov, zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe heqjen e kufizimeve ndaj protestave, të vendosura kohët e fundit.

Qeveria thotë se edhe ajo ka listën e vet me kërkesa të papërmbushura nga opozita.

“Fatkeqsisht, për herë të dytë udhëheqësit e opozitës nuk kanë pranuar të dënojnë publikisht veprimet e ekstremistëve. Ata as nuk dënojnë marrjen nën kontroll të ndërtesave të administratës lokale. Çështja është nëse udhëheqësit e opozitës janë të gatshëm të kontrollojnë zhvillimin e mëtejshëm të ngjarrjeve radikale”.

Në Ukrainën perëndimore, demonstruesit, që morën nën kontroll ndërtesa qeveritare, detyruan dorëheqjen e një guvernatori besnik të presidentit Janukoviç.

Ndërkohë, nënpresidenti amerikan, Joe Biden i telefonoi dje zotit Janukoviç për t’i kërkuar që të marrë masa të menjëhershme për të qetësuar krizën gjithnjë e më të dhunshme.

Kriza mori shkas nga vendimi i presidentit më 21 nëntor për t’u tërhequr nga një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian në favor të lidhjeve më të ngushta ekonomike me Rusinë. Vendimi i Kievit rezultoi në një marrëveshje ndihmash prej shumë miliarda dollarësh nga Moska, që analistët thonë se shmangu falimentimin thuajse të sigurtë të këtij vendi të varfër.
XS
SM
MD
LG