Lidhje

Separatistët në lindje të Ukrainës, të vendosur të sabotojnë zgjedhjet


Separatistët pro-Rusë në Ukrainën Lindore po planifikojnë të sabotojnë zgjedhjet presidenciale të vendit, të planifikuara për në 25 maj. Por zyrtarët ukrainas thonë se votimet do të mbahen pavarësisht nga përpjekjet separatiste për t’i parandaluar ato.

Për separatistët ishte e lehtë. Vetëm nëntë persona të armatosur shkuan të mërkurën në zyrën kryesore të zgjedhjeve në Donetsk dhe deklaruan se e kishin marrë nën kontroll. Me përjashtim të barrakave ushtarake ukrainase, luftëtarët separatistë mund të marrin nën kontroll çdo ndërtesë që do të donin në provincën e Donetskit.

Policia nuk i ndalon. Shumica e tyre mbështet separatistët. Të tjerë po presin të shohin nëse do të dalin më të fortë separatistët apo qeveria në përpjekjet për të mbajtur nën kontroll Donetskin dhe qytetin tjetër fqinj, Luhanskun. Dhe ushtria ukrainase është në gjendje të vështirë.

“Banorët e Ukrainës Lindore nuk duan të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale”, tha udhëheqësi separatist i Luhanskit, Valery Bolotov në prag të referendumit për shkëputje, fundjavën e kaluar.

Qeveria e Kievit dhe fuqitë perëndimore i kanë denoncuar referendumet për shkëputje në Donetsk dhe Luhansk.

Udhëheqës separatistë kanë këmbëngulur se nuk do të lejojnë votimet për zgjedhje në lindje të vendit. Për Kievin, zgjedhjet presidenciale janë jetike. Do të jenë të parat, që kur protestuesit pro-perëndimorë përmbysën qeverinë e mbështetur nga Moska të Viktor Yanukovychit, i cili është nga Donetsku, si edhe janë një shans për të frenuar shpërbërjen e vendit.

Anketat tregojnë se qeveria kalimtare është jopopullore në gjithë Ukrainën. Në një sondazh, më shumë se gjysma e të pyeturve në lindje thanë se mendonin se ishte një administratë e paligjshme. Personat e armatosur që marshuan në zyrën e komisionit të zgjedhjeve, i urdhëruan të gjithë punonjësit që të ikin, duke thënë se zgjedhjet ishin të paligjshme.

Serhiy Taruta, një guvernator rajonal thotë se Kievi nuk po e humbet kontrollin e Donetsk Oblastit, një provincë me 4.3 milionë vetë, e barabartë me 10 për qind të popullsisë së Ukrainës.

“Shumë institucione, zyra dhe fabrika në gjithë Donetskin po funksionojnë normalisht dhe planet për të decentralizuar pushtetin, do të dobësojnë kryengritjen separatiste”.
Zyrtarët ukrainas këmbëngulin se zgjedhjet do të mbahen, me përjashtim të qytetit me trazira Slovyansk, 100 kilometra në veri të Donetskit. Ai qytet është krejtësisht i kontrolluar nga separatistët dhe plani është që banorët e tij të votojnë në qytetin fqinj dhe më të madh të Kramatorskit.

Por të mërkurën, separatistët rrëmbyen kreun e komisionit lokal të zgjedhjeve atje, zyrtari i tretë i zgjedhjeve nga ky qytet që rrëmbehet këtë muaj.

Siguria në zgjedhje ka mundësi të përbëjë një sfidë në rritjë për qeverinë. Por vëzhguesit e huaj shprehën shqetësim para disa javësh, duke i thënë Zërit të Amerikës se qeveria nuk e parashikonte dot se cfarë problemesh do të lindnin dhe nuk kishte hartuar plane sigurie për qnedrat e votimit ose për zyrtarët lokalë të zgjedhjeve, të ngarkuar me mbikqyrjen e votimit.

Këshilltarët folën me kushtin që të mos identifikoheshin, pasi nuk ishin të autorizuar t’i flisnin medias. Ata janë gjithashtu të shqetësuar për sigurinë e ambjenteve ku do të dërgohen fletët e votimit.

Anketat e fundit tregojnë se 85 për qind e ukrainasve do të votojnë më 25 maj, në zgjedhjet që ambasadori amerikan në Ukrainë i ka përshkruar si “më të rëndësishmet në historinë e Ukrainës të pavarur”.

Por nëse zgjedhjet dështojnë në Lindje të vendit, kjo vetëm mund ta rëndojë krizën në Ukrainë.
XS
SM
MD
LG