Lidhje

Stërvitja ushtarake në Ukrainë


Me intensifikimin e konfliktit në Ukrainën lindore, ushtria ka nevojë më tepër se kurrë për rekrutë të rinj. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Gabe Joselow njofton lidhur me një prirje për integrimin e luftëtarëve guerrilas në forcat e sigurisë kombëtare, për të fuqizuar më tej fushatën kundër separatistëve pro-rusë.

Në këtë qendër stërvitore në periferi të Kievit, një batalion i ri i Rojes Kombëtare po përmirëson aftësitë ushtarake.

Ushtarët në një poligon zhvillojnë qitje, nën vëzhgimin e trajnerëve. Por këta nuk janë ushtarë të zakonshëm. Ky është një grup luftëtarësh me përvojë, të formuar me anëtarët e milicisë së komunitetit, që u organizua për t'iu kundërvënë forcave separatiste në lindje të vendit.

Komandanti i tyre, Semyon Semenchenko, thotë se janë duke kërkuar rekrutë të tjerë për të plotësuar batalionin e ri.

“Jemi duke kërkuar burra, të cilët para së gjithash të jenë të gatshëm të vdesin për atdheun e tyre", tha ai. "Kjo gatishmëri për të përmbushur detyrën e tyre deri në fund është ajo që e dallon një ushtar nga një dezertor, i cili e hedh armën dhe largohet."

Batalioni Donbas nën udhëheqjen e Semenchenkos, u formua në dy muajt e fundit, për t'iu kundërvënë rebelëve pro-rusë, të cilët kanë marrë kontrollin e disa pjesëve të provincave të Donetsk-ut dhe Luhansk-ut në Ukrainën lindore.

Qeveria ukrainase po punon për rekrutimin dhe integrimin e këtyre togave gjysëm zyrtare në radhët e Gardës Kombëtare.

Shumica e ushtarëve në batalion janë banorë të lindjes dhe kanë qenë në frontin e parë të konfliktit.

Një ushtar, me emrin Almaz, ishte pjesë e grupit që u zu në pritë nga luftëtarët separatistë në një betejë muajin e kaluar në Karlovka, që tani është bërë e famshme, ndërsa batalioni po përpiqej të siguronte qendrat e votimit në prag të zgjedhjeve presidenciale.

Ai thotë se grupi i tij prej vetëm 20 vetësh, ishte shumë më i vogël, krahasuar me grupin e 100 luftëtarëve separatistë, dhe askush nuk kërkoi forca shtesë.

“Ata filluan të na rrethojnë, - tregon ai, - ne po luftonim, forcat nuk ishin të barabarta në numër, disa grupeve ju desh të tërhiqeshin, fatkeqësisht nuk patëm ndihmë, prandaj na u desh ta përballonim vetë situatën."

Të paktën një anëtar i batalionit Donbas u vra dhe disa të tjerë u plagosën në luftime.

Për Almaz-in dhe pjesën tjetër të grupit, bashkimi me Gardën Kombëtare ofron jo vetëm stërvitje dhe pajisje, por premton edhe një mbështetje më të fuqishme ushtarake. Mungesa e koordinimit ka qenë një dobësi e madhe e forcave ukrainase në lindje të vendit.

Ndërkohë, luftëtarët rusë janë parë mes seperatistëve, edhe pse Moska mohon përfshirjen e saj të drejtpërdrejtë në konflikt.

Në sulmin më të fundit të tyre, qindra rebelë të hënën zhvilluan një sulm madhor, në një pikë kufitare pranë qytetit Luhansk. Beteja njëditëshe shkaktoi rreth 5 të vrarë mes rebelëve dhe 10 të plagosur, të paktën 4 prej tyre në gjendje të rëndë.

Këshilltari i Ministrisë së Brendshme Anton Gerashchenko, thotë se për të luftuar kërcënimin në rritja, Garda Kombëtare ka nevojë për sa më shumë vullnetarë dhe se inkorporimi i batalionit Donbas në të është pjesë e një përpjekje më të madhe për bashkimin e forcave milicore të komunitetit, të organizuara keq.

“Ky është batalioni i tretë i Gardës Kombëtare që më parë ka qenë një skuadër guerrilase, tha ai. Tani që terroristët janë më të organizuar dhe më mirë të formuar, duke marrë armë nga Rusia, autoritetet ukrainase e kuptojnë se ne duhet të jemi të bashkuar".

Autoritetet ukrainase u kanë bërë thirrje grupeve vetëmbrojtëse të bashkohen për të përballuar rrezikun që i kanoset vendit në rajonet lindore, por nuk është e qartë se sa prej tyre do pranojnë.

Konflikti që vazhdon është një nga sfidat më të ngutshme me të cilat përballet presidenti i zgjedhur Petro Poroshenko, i cili është zotuar që t'i japë fund kryengritjes.
XS
SM
MD
LG