Lidhje

Votime në rajonet pro-ruse të Ukrainës lindore 


Votuesit e rajoneve lindore të Ukrainës që mbështeten nga Kremlini iu drejtuan të dielën kutive të votimit, duke zgjedhur me mbi 60% të votave udhëheqësit e tyre aktualë, në një proces që Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, e quajti “zgjedhje false”. Në një deklaratë sot të zëdhënëses së Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se “SHBA-ja u bashkohet vendeve aleate evropiane dhe atyre partnere në dënimin e zgjedhjeve të rreme në Ukrainën lindore të kontrolluar nga Rusia”. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini deklaroi se BE-ja nuk do t’i njohë këto zgjedhje, ndërsa një deklaratë e përbashkët e Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel i përcakton këto zgjedhje si një proces që dëmton integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

Masat e sigurisë ishin jashtëzakonisht të forta në rajonet Donetsk dhe Lugansk. Njësi të armatosura rëndë patrullonin zonën.

Rusia ka mbështetur rebelët rusisht-folës, të cilët kanë vetëshpallur një republikë popullore në lindje të Ukrainës.

“Çfarë mund të ndryshojmë? Ne mundemi vetëm të zgjedhim përmes votës. Po Evropa? Nëse Evropa mbështet Ukrainën, ata njerëz që na godasin me armë dhe na shtyjnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur të ardhmen tonë pro-Rusisë, atëherë përse duhet të dëgjojmë Evropën, kur mund të dëgjojmë udhëheqësit tanë dhe veten...”, thotë Nikita, student në Donetsk.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë denoncuar zgjedhjet si të paligjshme dhe si një pengesë për arritjen e një zgjidhjeje të negociuar.

Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe mohoi akuzat për armatosjen e rebelëve.

Ndërsa luftimet e mëdha në Ukrainën lindore përgjithësisht kanë përfunduar, shkëmbime të herëpashershme mes rebelëve dhe ushtarëve ukrainas vazhdojnë të lënë pas viktima.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG