Lidhje

Ukrainë, forcat qeveritare rimarrin terren


Forcat e Ukrainës rimorën më shumë terren, por patën viktima të reja në luftimet e sotme me separatistët. Ndërkohë, dy aleatë perëndimorë i kërkuan presidentit të Rusisë, Vladimir Putin të ushtrojë më shumë presion mbi rebelët për t'i dhënë fund konfliktit me bisedime.

Forcat qeveritare kanë fituar epërsi kohët e fundit në konfliktin tre-mujor kundër separatistëve në rajonet lindore rusisht-folëse, ku janë vrarë më shumë se 200 trupa qeveritare si dhe qindra civilë dhe luftëtarë rebelë.

Ushtria ukrainase thotë se ka në plan t'u bëjë një surprizë tepër të pakëndshme separatistëve të armatosur rëndë, të cilët janë vendosur në Donetsk, një qytet me 900 mijë banorë, pasi u dëbuan nga baza e tyre në Slaviansk gjatë fundjavës.

Zëdhënësi ushtarak ukrainas Vladyslav Seleznyov tha se forcat qeveritare rimorën sot qytetin Siversk, në lindje të Slavianskut.

Ndërkohë, përmes një bisede telefonike, Presidenti francez François Hollande dhe kancelarja gjermane Angela Merkel i bënë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që të "ushtrojë të gjithë presionin e nevojshëm mbi separatistët për t'i bindur ata të negociojnë."

Ata i kërkuan gjithashtu presidentit rus të përdorë ndikimin e tij për të siguruar kontrollin e kufirit, ku sipas qeverisë së Kievit, autoritetet ruse po mbyllin njërin sy ndaj luftëtarëve që kalojnë kufirin me armë dhe pajisje për të ndihmuar kryengritësit.

Dje, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko u zotua për të rimarrë zonat e Ukrainës lindore që mbahen ende nga separatistët, por tha se forcat qeveritare do të veprojnë me vetëpërmbajtje.

Zoti Poroshenko i bëri komentet ndërsa po vizitonte trupat në ish-bazën separatiste të Slovyanskut.

"Dua të them një gjë: në Donetsk nuk do të ketë luftime në rrugë. Këta kryengritës janë një bezdi për banorët e Donetskut. Nuk ka të ardhme për ta këtu. Ka vetëm një rrugë për të ecur përpara: paqe, çarmatim, amnisti dhe plani im politik që përfshin decentralizimin," tha presidenti ukrainas.

Udhëheqësi i vetë shpallur i Republikës Popullore të Donteskut e hodhi poshtë thirrjen e presidentit për paqe dhe bashkim. Ai u zotua se lufta për pavarësi nga Ukraina do të vazhdojë.

"Këtu në Donbass, ne vendasve as që na shkon mendja për t'u bashkuar me Ukrainën", tha Pavel Gubarev.

Moska dhe Kievi thonë se arritja e një armëpushimi me negociata është ende i mundur, edhe pse disa analistë politikë thonë se objektivi strategjik i Rusisë është zgjatja e konfliktint.

XS
SM
MD
LG