Lidhje

Kërkohet dëmshpërblim për të helmuarit me plumb në kampet e UNMIK-ut


Një ekspert i pavarur, i emëruar nga Këshilli i OKB-së, për të Drejtat e Njeriut, u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara që të "ofrojnë drejtësi dhe mjete juridike" për personat që kishin qëndruar në një zonë të kontaminuar në veriun e Kosovës pas luftës së vitit 1999.

Ankesa e cila u bë të mërkurën nga Raportuesi i Posaçëm për të drejtat e njeriut dhe çështjet e helmimeve, Baskut Tuncak, pason një raport të Panelit Këshillëdhënës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut nga misioni paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Ndër rastet e shqyrtuara nga Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut ishte një ankesë e parashtruar nga 138 persona nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptase që pësuan helmim nga plumbi dhe pasoja të tjera të rënda shëndetësore pas zhvendosjes së tyre në kampet e personave të zhvendosur brenda vendit në veri të Kosovës , midis viteve 1999 dhe 2013.

Duke marrë parasysh gjetjet e këtij paneli, zyra e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, njoftoi në maj të vitit 2017 për krijimin e një “Fondi të Mirëbesimit” për zbatimin e projekteve të ndihmës me bazë në komunitet. Në deklaratën e tij, sekretari i përgjithshëm, thoshte se beson që është detyrë e përbashkët e të gjithëve që të mbështeten komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane në Kosovë dhe që ata të marrin ndihmën për të cilën kanë nevojë. “Në lidhje me këtë, organizata do të bëjë çdo përpjekje, në këshillim me shtetet anëtare, për të siguruar burimet e nevojshme në mbështetje të Fondit të Mirëbesimit", kishte thënë ai.

Megjithatë, deri më tash, ky fond nuk ka marrë asnjë kontribut nga shtetet anëtare, tha zoti Tuncak, duke shtuar se helmimi nga plumbi besohet të ketë shkaktuar vdekjen e disa fëmijëve dhe të rriturve. "Jam thellësisht i zhgënjyer nga trajtimi i këtij rasti”, tha ai duke shtuar se “zgjidhja e ofruar nga OKB-ja është një Fond Mirëbesimi i papërfunduar dhe me shumë të meta, i cili nuk do të ofrojë as drejtësi, as elementet e nevojshme të një mjeti efektiv për viktimat”.

Afërsisht 600 pjesëtarë të këtyre komuniteteve kishin qëndruar në kampet në Zhikoc, Çeshminlug, e Osterode në veri, afër kombinatit metalurgjik Trepça, përkatësisht në zona të ndotura me mbetje industriale.

Raportet e helmimit nga plumbi në mesin e banorëve dolën që në vitin 1999, tha Tuncak në një deklaratë, duke vënë në dukje se masat mbrojtëse për të parandaluar ekspozimin ndaj plumbit u morën për personelin paqeruajtës në vitin 2000. Por një veprim i tillë nuk u krye për banorët deri në vitin 2006, tha ai. "Pas diskutimeve me viktimat dhe familjet e tyre dhe vlerësimit të fakteve të këtij rasti tragjik, rrethanat kërkojnë kompensim individual dhe kërkim falje publike nga Kombet e Bashkuara, përveç projekteve të bazuara në komunitet", tha zoti Tuncak.

"Në pikëpyetje është integriteti i Kombeve të Bashkuara. Duhet të reformohet qasja dhe të ofrohen burimet e nevojshme për të zbatuar plotësisht rekomandimet e Panelit Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut pa vonesa të mëtejshme", shtoi ai.

Përveç rekomandimit të pagesave të kompensimit për 138 individë, paneli bëri thirrje gjithashtu për një kërkim falje publike për mosrespektimin e standardeve të të drejtave të njeriut.

"Dekada më parë UNMIK-u nuk e përmbushi mandatin e tij për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre. Asgjë nuk do të zëvendësojë atë që këto viktima kanë humbur, por tani Kombet e Bashkuara kanë një mundësi për të bërë diçka, që mund të shlyej gabimet e së kaluarës", tha zoti Tuncak.

Përfaqësues të organizatave humanitare thonë se komunitetet rome, ashkali dhe egjiptase mbeten komunitetet më të diskriminuara edhe në Kosovë. Ata bëjnë thirrje për më shumë angazhim në përmirësimin e kushteve të jetesës për këto komunitete që janë integruar në sistemin politik të vendit, por ende të drejtat e tyre janë shpeshherë të cunguara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG