Lidhje

Këshilli i Sigurimit debaton gjendjen në Kosovë


Nga një sesion i mëhershëm i Këshillit të Sigurimit
Nga një sesion i mëhershëm i Këshillit të Sigurimit

Në një takim të zakonshëm të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, përfaqësues të Beogradit dhe Prishtinës sërish paraqitën pikëpamje tërësisht të kundërta për situatën në Kosovë.

Serbia përfaqësohej kësaj here nga ministrja e Drejtësisë, Nela Kuburoviç, e cila vuri theksin tek sic tha ajo kërcënimet me synimin për krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara që të dënojnë deklaratat e zyrtarëve shqiptarë.

Ajo e cilësoi situatën në Kosovë si të keqe duke përmendur deputetin e Kosovës, Daut Haradinaj për deklaratat siç tha ajo nxitëse gjatë kohës sa i vëllai, ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po mbahej në Francë në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Beogradi.

Ministrja serbe e dënoi vendimin e gjykatës franceze për lirimin e zotit Haradinaj, duke e cilësuar atë si një vendim politik, "të turpshëm dhe të padrejtë".

Ajo akuzoi ish shefin e Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ambasadorin William Walker se po angazhohet për krijimin e Shqipërisë së Madhe, duke kujtuar rolin e tij, për siç tha ajo, agresionin ndaj Serbisë. Ajo i lidhi këto veprime edhe me siç tha deklaratat e ish ndihmës sekretares amerikane të shtetit Victoria Nulland se Shtetet e Bashkuara kanë punuar për 20 vjet për pavarësinë e Kosovës.

Përfaqësuesja e Serbisë theksoi edhe kundërshtimin e Serbisë ndaj krijimit të Ushtrisë së Kosovës, ndërsa kërkoi që Prishtina të përmbushë marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, hodhi poshtë pohimet serbe se shqiptarët po angazhohen për Shqipëri të Madhe.

"Nuk ka Kosovë të Madhe e as Shqipëri të Madhe. Por ka shqiptarë që jetojnë në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbi dhe synimi ynë kryesor është të jemi qytetarë të barabartë në Bashkimin Evropian", tha ambasadorja Çitaku.

Ajo tha se Kosova është dhe mbetet e përkushtuar ndaj bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por, tha ajo, është e lodhur ndaj standardet e dyfishta. Serbia, tha ajo, thotë se është për paqe e pajtim por e keqpërdorë vazhdimisht policinë ndërkombëtare (INTERPOL) për të lëshuar urdhër arreste ndaj shqiptarëve. Kjo, tha ajo, është rrugë e vjetër e brutalitetit. Ajo çfarë i ndodhi ish kryeministrit Ramush Haradinajt, tha zonjë Çitaku, flet për "mënyrën e të menduarit në Serbi", duke kujtuar se zoti Haradinaj ishte shpallur dy herë i pafajshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.

"Serbia ka humbur në Kosovë, shtarakisht më 1999. Politikisht më 2008 dhe juridikisht në Gjykatën Ndërkombëgare të Drejtësië dhe tash edhe në drejtësi", tha zonja Çitaku.

Ajo tha se Serbia ishte i vetmi agresor në ish Jugosllavi, por ajo po refuzon të pranojë përgjegjësinë historike për atë farë ka ndodhur. Serbia duhet ta pranojë Kosovën si të barabartë dhe si shtet si dhe të pranojë përgjegjësinë historike.

Ajo tha se Kosova do të bëjë gjithçka që të sigurojë edhe mbështetjen e përfaqësuesve të serbëve lokalë për ngritjen e ushtrisë së saj, por "nuk do të lejojë askënd që ta mbajë peng themelimin e ushtrisë".

Ambasadorja Çitaku tha se takimet e tilla të Këshillit të Sigurimit e kanë humbur kuptimin dhe se Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) nuk ka më asnjë rol në formatin aktual në Kosovë.

Ajo tha se serbët janë pakica më e privilegjuar në Evropë, ndërsa tërhoqi vëmendjen ne sic tha diskriminimin e vazhdueshëm të komunitetit shqiptarë në komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Këshilli i Sigurimit u mblodh për të diskutuar raportin sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Në raport shprehet shqetësimi për zvarritjen e përmbushjes së marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe për shtimin e retorikës etno-nacionaliste.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG