Lidhje

OKB: Të dyja palët në konfliktin sirian kanë kryer krime lufte


Sipas një raporti të ri të Kombeve të Bashkuara, palët kundërshtare që luftojnë për kontrollin e Alepos kanë kryer krime lufte. Raporti i fundit që i referohet konfliktit gjashtë vjeçar, thekson se ndër krimet e luftës që janë kryer, janë bombardimet ajrore të qeverisë siriane si dhe bombardimi i një autokolone të ndihmave humanitare ku u vranë 14 vetë, gjë që ndali operacionet e ndihmës.

Forcat siriane dhe ruse kanë zhvilluar "sulme të përditshme ajrore" pa dallim, duke përdorur bomba thërrmuese në pjesën lindore të Alepos nën kontrollin e grupeve rebele prej muajit korrik, deri në rënien e qytetit në fund të dhjetorit, thuhet në raport.

Sulmet pa dallim, që çuan në qindra vrasje dhe shkatërrimin e shumë spitaleve, përbëjnë krime lufte, sipas raportit.

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara nuk kanë arritur të përcaktojnë në se të dyja forcat ushtarake, siriane dhe ruse, u përfshinë në sulmet në Aleppo, pasi ato e kontrollonin së bashku hapësirën ajrore mbi zonën "gjatë kohës që është kryer hetimi."

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara thanë se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara nuk ka kryer asnjë sulm ajror mbi Aleppo në gjysmën e dytë të vitit 2016.

Raporti del në një kohë kur në Gjenevë po vazhdojnë bisedimet për paqe në Siri. Gjetjet e tij janë bazuar në intervistat me 291 viktima dhe dëshmitarë, prova mjeko ligjore si dhe imazhe satelitore.

XS
SM
MD
LG