Lidhje

SHBA bllokon emërimin e ish-kryeministrit palestinez për një post në OKB


Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar emërimin e një ish-kryeministri palestinez në krye të misionit politik të Kombeve të Bashkuara në Libi.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres njoftoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së në një letër se ai kishte planifikuar të emëronte ekonomistin Salam Fayyad për postin. 64 vjeçari Fayyad, i cili ka studiuar në perëndim dhe është gjerësisht i respektuar në arenën ndërkombëtare, ka qenë kryeministër i Autoritetit Palestinez nga 2007-2013, si edhe ka shërbyer si ministër financash.

Por ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley nxorri një deklaratë mbrëmë vonë, ku shprehej se Shtetet e Bashkuara janë të “zhgënjyera” nga zgjedhja.

Ajo thoshte se OKB-ja për një kohë të gjatë ka qenë e njëanshme në favor të Autoritetit Palestinez, “në dëm të aleatëve tanë në Izrael”. Ajo shtoi se “këtej e tutje, Shtetet e Bashkuara, jo vetëm do të shprehen, por do të veprojnë në mbështetje të aleatëve tanë”.

Shtetet e Bashkuara janë një prej pakicës së anëtarëve të OKB-së që nuk e njohin Palestinën si një shtet të pavarur që ka vetëm status vëzhguesi në organizatën botërore.

XS
SM
MD
LG