Lidhje

Reagime pas tërheqjes së SHBA nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut


Grupe për të drejtat e njeriut e përcollën me shqetësim njoftimin e Shteteve të Bashkuara se po tërhiqen nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Organizatat thonë se vendet e tjera duhet të mobilizohen për të marrë përsipër përgjegjësitë globale për të drejtat e njeriut. Shumë prej aktivistëve e shohin këtë masë si një hap të përkohëshëm dhe të lidhur me administratën aktuale amerikane:

Vendimi nuk ishte i papritur, pasi Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar që një vit më parë se do të tërhiqeshin nëse këshilli nuk ndal sulmet ndaj Izraelit. Zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar këtë organizëm për mungesë efektshmërie.

Organizata Human Rights Watch e hodhi poshtë këtë karakterizim:

“Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka pasur ndikim shumë pozitiv në vende si Koreja e Veriut, Mianmari, Sudani Jugor dhe Siria. Por administrata Trump do t’ia dijë vetëm për Izraelin. Tani, ngaqë Këshilli për të Drejtat e Njeriut kritikon shumë Izraelin, Amerika po tërhiqet ndoshta pasi do ta diskreditojë këtë organizëm dhe të dobësojë ndikimin e kritikave të këshillit ndaj Izraelit,” tha Kenneth Roth i organizatës “Human Rights Watch”.

Zyrtarët amerikanë akuzuan këshillin se pranon anëtarë që janë disa nga abuzuesit më të rëndë të të drejtave të njeriut si Kina, Kuba dhe Venezuela. Kina iu kundërvu këtyre kritikave:

“Të gjithë ata që janë objektivë mund t’i shohin qartë arritjet e mëdha të Kinës dhe përparimin në fushën e të drejtave të njeriut. Qëndrimi i Amerikës ndaj Këshillit është kritikuar nga vende në mbarë botën,” tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se tërheqja amerikane nuk do të ndalë betejën për të drejtat e njeriut në shkallë globale, por kërkojnë më shumë angazhim nga vende të tjera:

Sarah Margon, organizata “Human Rights Watch”
“Po ashtu është e nevojshme të kritikohen veprimet e Shteteve të Bashkuara kur bëjnë abuzime në vendin e tyre, si për shembull kur shkulin fëmijë nga krahët e prindërve dhe pretendojnë se e bëjnë këtë në emër të ligjit, por është në fakt vendim i administratës,” tha Sarah Margon e organizatës “Human Rights Watch”.

Presidenti Trump tha dje se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndajnë më fëmijët nga prindërit që futen ilegalisht nga Meksika, pasi kjo politikë zgjoi kritika të forta ndërkombëtare.

Ligjvënësi demokrat Bill Keating tha se veprimet e administratës nuk pasqyrojnë qëndrimin e përgjithshëm të qeverisë amerikane.

Bill Keating, ligjvënës demokrat
“Kur njerëzit në botë shohin veprime të tilla, ata duhet të shohin edhe institucione të tjera amerikane si Kongresi dhe të dëgjojnë se çfarë po themi”.

Vëzhguesit po ashtu e shohin tërheqjen nga pakte ndërkombëtare si Marrëveshja me Iranin apo Traktati i Parisit mbi klimën si marka e administratës aktuale që mund të mos vazhdojë kur të vijë një administratë e re.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG