Lidhje

SHBA, Izraeli deklarojnë se do të tërhiqen nga UNESCO


Selia e UNESCO në Paris

Pas vendimit të djeshëm të Shteteve të Bashkuara për të dalë nga UNESCO, edhe Izraeli deklaroi se do të tërhiqej nga organizata. Shtetet e Bashkuara ndaluan financimin e UNESCO-s pasi Autoriteti Palestinez u pranua si anëtar me të drejta të plota, megjithë kundërshtimin amerikan, izraelit dhe evropian. Si vend anëtar që duhet të paguante detyrimet financiare, borxhi i Shteteve të Bashkuara arriti në 600 milionë dollarë me kalimin e viteve. Por administrata e Presidentit Trump përmendi si arsye edhe qëndrimet kundër Izraelit, si arsye për tërheqjen.

UNESCO-ja njihet për përzgjedhjet e objekteve të trashëgimisë kulturore, si për shembull Kanioni i Madh në Shtetet e Bashkuara, qyteti Palmira i Sirisë që u vandalizua nga terroristët e ISIS-it, apo Berati dhe Gjirokastra në Shqipëri.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në selinë e UNESCO-s në Paris, Chris Hegadorn, dha dy arsye për tërheqjen.

"Një nga arsyet ishte rritja e borxhit që nga viti 2011 kur kjo organizatë pranoi si shtet anëtar Palestinën. Ajo shumë parash është e papërballueshme. Arsyeja e dytë është se për fat të keq, kjo organizatë është politizuar, duke minuar punën e UNESCO-s në përgjithësi. Është bërë një platformë për paragjykime anti-izraelite”.

Shtetet e Bashkuara prej kohësh kanë bërë thirrje për reformimin e kësaj organizate kulturore të OKB-së.

"Do të donim që politika të mos ndërhynte në këtë organizatë. Dhe ne shohim paragjykime ndaj Izraelit, diçka që mund të provohet shumë lehtë. Kësaj duhet t’i jepet fund. Prandaj, pas një analize të hollësishme, Shtetet e Bashkuara morën vendimin të tërhiqen”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

Para disa muajsh, UNESCO-ja e shpalli qendrën e lashtë të Hebronit, një qytet në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, si një objekt të rrezikuar palestinez të Trashëgimisë Botërore. Dhe në vitin 2015, miratoi një rezolutë që kritikonte Izraelin për keqmenaxhimin e objekteve të trashëgimisë kulturore në Jeruzalem. Të dyja vendimet u dënuan nga Izraeli dhe aleatët e tij”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e përshëndeti dje vendimin amerikan për t’u tërhequr duke thënë në Twitter se UNESCO është kthyer në një “teatër absurditeti” dhe se edhe Izraeli do të tërhiqej.

Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova shprehu keqardhje për vendimin amerikan dhe ngriti pikëpyetje për momentin kur u bë.

“Në një kohë kur lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm kërkon më shumë investim në arsim, në dialogun mes kulturave për të parandaluar urrejtjen, është për të ardhur keq që Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga agjencia e OKB-së që merret me këto çështje”.

Zonja Bokova tha se UNESCO ka punuar gjithmonë kundër anti-semitizmit dhe për të ruajtur kujtesën e Holokaustit. Tërheqja e Shteteve të Bashkuara vjen në një kohë kur organizata është në procesin e përzgjedhjets së një drejtori të ri të përgjitshëm. Tërheqja hyn në fuqi, në fund të vitit të ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG