Lidhje

UNHCR, fushatë globale kundër ekzistencës së njerëzve pa atdhe


Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, UNHCR ka ndërmarrë një fushatë globale për t’i dhënë fund mungesës së shtetësisë brenda 10 vjetësh. Fushata e ashtuquajtur “Unë kam vendin tim” synon nxjerrjen e miliona vetëve nga statusi i paqartë ligjor që ata kanë sepse nuk kanë shtetësi dhe janë të privuar nga e drejta për qytetari.

UNHCR njofton se të paktën 10 milionë vetë janë pa shtet dhe cdo 10 minuta lind një foshnje që nuk ka atdhe. Shumë njerëz pa shtetësi nuk kanë të drejta ligjore në vendet ku jetojnë.

UNHCR-ja thotë se ligjërisht, njerëzit pa shtetësi nuk ekzistojnë. Ata nuk kanë identitet, certifikatë lindjeje dhe dokumenta. Si rezultat, atanuk përfitojnë dot nga shërbimet shëndetësore, arsimi ose punësimi i ligjshëm. Në disa vende, për njerëzit pa shtetësi që vdesin nuk jepet as një certifikatë vdekjeje.

Komisioneri i Lartë për refugjatët, Antonio Guterres thotë se një numër faktorësh kontribuon tek mungesa e shtetësisë. Ai thotë se shumica e situatave të tilla krijohen nga diskriminimi i mbështetur tek përkatësia etnike, feja dhe gjinia.

“Rasti më i njohur dhe i diskutuar në botë është ai i Rohingyas në Birmani me mbi një milionë vetë, të cilëve nuk u jepet shtetësi, ose më saktë shumicës së tyre nuk u jepet shtetësi. Në Birmani, ata konsiderohen imigrantë të paligjshëm nga Bangladeshi. Por në Bangladesh ata konsiderohen imigrantë të paligjshëm nga Birmania, që do të thotë se shumica dërrmuese e Rohingyave nuk kanë të drejta, dhe asnjë lloj shtetësie”.

Vende të tjera me popullsi të mëdha që nuk I takojnë asnjë shtetësie janë Bregu i Fildishtë, Tailanda, Letonia dhe Republika Domenikane. Humbja e shtetësisë ndodh gjithashtu kur një vend shpërbëhet, si ndodhi me ish-Bashkimin Sovjetik dhe ish-Jugosllavinë.

Ligjet kufizuese që u mohojnë grave të drejtën që t’ua transmetojnë shtetësinë e tyre fëmijëve njëlloj si burrat, është gjithashtu një shkak tjetër për mungësën e shtetësisë. Aktualisht, 27 vende kanë rregulla të tilla.

UNHCR-ja thotë se rreziqet e mungesës së një atdheu për njerëzit, po shfaqen më numrin në rritje të konflikteve. Agjencia vë në dukje së për shembull, luftrat në Republikën e Afrikës Qendrore dhe Siri, kanë detyruar miliona vetë që të arratisen dhe të bëhen refugjatë. Dhjetra mijëra fëmijë refugjatë që kanë lindur në mërgim, nuk regjistrohen kur lindin.

Komisioneri i Lartë Guterres thotë se ky është një problem masiv për fëmijët refugjatë sirianë që lindin në Liban dhe Jordani. Ai thotë se Siria nuk i lejon gratë që të regjistrojnë fëmijët e tyre me shtetësinë e tyre. Ai thotë se kjo mund të sjellë si rezultat pamudësinë për shumë fëmijë për t’u regjistruar kur lindin sepse baballërët e tyre mund të kenë vdekur ose mund të jenë zhdukur.

“Kemi punuar me qeveritë që të mundësojmë procedurat për të lejuar fëmijët sirianë të regjistrohen dhe ka pasur përparim të kosniderueshëm në këtë drejtim. Dhe ne shpresojmë që ky përparim të na lejojë që në të ardhmen, të gjithë fëmijët refugjatë sirianë që lindin në mërgim të jenë në gjendje të regjistrohen si qytetarë sirianë. Aktualisht, 70 për qind e të sapolindurve refugjatë sirianë në vendet fqinjë, nuk janë regjistruar ende”.

Zoti Guterres thotë se mungesa e shtetësisë është një anomaly në shekullin e 21-të dhe duhet të eliminohet si fenomen. Ai thotë se ka pasur një transformim të rëndësishëm në prirjet ndërkombëtare përsa i takon kësaj dukurie tragjike, gjë që e bën atë të ketë shpresë se kjo fushatë globale do të ketë sukses.

Ai thotë se UNHCR-ja beson se kjo cështje mund të zgjidhet nëse ka vullnet politik të mjaftueshëm.

XS
SM
MD
LG