Lidhje

UNICEF: 50 milionë fëmijë të botës janë refugjatë, imigrantë ose të zhvendosur


Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët paralajmëron se të vegjlit janë shpesh viktimat më të mëdha të krizës botërore të refugjatëve dhe të migracionit.

“Rreth 50 milionë fëmijë të botës janë refugjatë, imigrantë, ose të zhvendosur” – tha Drejtori Ekzekutiv i UNICEF-it Justin Forsyth në një konferencë shtypi lidhur me raportin e ri të organizatës.

Ai tha se mes tyre, 28 millionë fëmijë janë zhvendosur për shkak të dhunës, ose konfliktit. “Kjo shifër është thuajse sa dyfishi i numrit të fëmijëve refugjatë në dekadën e fundit; është trefishi i numrit të fëmijëve të pashoqëruar nga të rritur; është një krizë në rritje, një krizë e fëmijëve.”- tha ai.

Fëmijët janë sidomos të rrezikuar nga trafikantët e seksit, bandat kriminale dhe kontrabanda me njerëzit, kur janë në lëvizje.

Vitin e kaluar, thuajse gjysma e fëmijëve të regjistruar si refugjatë ishin nga vetëm dy vende të botës - Siria dhe Afganistani. Por kjo krizë prek fëmijë nga të gjitha rajonet e botës, përfshirë Amerikën Qendrore, Azinë dhe Afrikën.

Në raportin e ri të UNICEF-it thuhet se kur fëmijët shkojnë në vendet e destinacionit, rreziqet me të cilat ata përballen shpesh nuk zhduken, duke i lënë ata në nevojë të vazhdueshme për ndihmë dhe mbrojtje.

XS
SM
MD
LG