Lidhje

Të rinj të jashtëzakonshëm


Ndërsa shumica e adoleshentëve në Shtetet e Bashkuara e kalojnë kohën mes shkollës, shtëpisë dhe miqve, disa të tjerë kanë zgjedhur një jetë ndryshe. Ata kanë gjetur mënyra origjinale për të dhënë kontributin e tyre në botë. Elizabeth Lee e Zërit të Amerikës takoi tre prej tyre në Los Anxheles, ku të rinjtë u mblodhën kohët e fundit për të diskutuar për punën e tyre dhe për gjërat që i bëjnë unikë.

Winter Vinecki është vetëm 15 vjeçe, por ka arritur më shumë se shumica e njerëzve në jetë.

"Kohët e fundit kam përfunduar një maratonë në të shtatë kontinentet dhe u bëra personi më i ri në botë që bën një gjë të tillë. Në të vërtetë po e bëja këtë për babain tim."

Babai i Winter Vineckit u diagnostikua me një formë të rrallë dhe të rëndë kanceri të prostatës, kur ajo ishte nëntë vjeç. Ai vdiq 10 muaj më vonë.

"Kur ai u diagnostikua për herë të parë, kuptova menjëherë se duhet të bëja diçka që ta ndihmoja. Ai ishte momenti kur krijova nismën ‘Skuadra Winter’ për hulumtime dhe përgjegjësim ndaj kancerit të prostatës."

Përmes nismës ‘Skuadra Winter’ dhe mediave sociale, Winter Vinecki ka mbledhur rreth 500 mijë dollarë fonde. Ajo gjithashtu e ka përhapur fushatën e saj të ndërgjegjësimit për kancerin e prostatës në të gjithë botën, që nga Kenia.... në Mongoli, përmes maratonave të saj në të shtatë kontinentet... por edhe në SHBA, me anë të fjalimeve si ky në Konferencën Globale të Institutit Milken.

Ajo ishte një nga disa të rinjtë e panelit, të cilët bëjnë një jetë të jashtëzakonshme. Një tjetër panelist, Jack Andraka, ka shpikur një sensor jo të kushtueshëm për kancerin pankreatik, ovarian dhe të mushkërive kur ishte 15 vjeç.

"Pa platformat në internet Google apo Wikipedia, nuk do të kisha qenë kurrë në gjendje të mësoja të gjitha gjërat e nevojshme për këtë projekt. Unë nuk dija as se çfarë ishte një pankreas, para se të filloja të krijoja testin tim për kancerin pankreatik."

Aktualisht ai po përgatit patentat për shpikjet e tij të fundit: pajisje jo të kushtueshme për cilësinë e ujit që ndihmojnë në zbulimin dhe filtrimin e metalave të rënda dhe pesticideve.

"Shpresoj që ato të përdoren në vendet në zhvillim si Bangladeshi dhe pjesë të Kinës dhe Indisë, si dhe në pjesë të Afrikës, ku këto të metale të rënda, pesticide dhe mbetje të tjera industriale janë një problem i madh."

Aktivistja gjashtëmbëdhjetë-vjeçare për të rinjtë Mary-Pat Hector vuri re një problem në komunitetin e saj. Ajo thotë se një numër tepër i madh të rinjsh vdesin nga dhuna me armë.

"Shihja miq të mi që prekeshin prej kësaj. Shihja vazhdimisht ngjarje në televizion. Kjo më bëri të mendoj se duhet të bëja diçka për këtë."

Ajo u bë drejtoreshë kombëtare e të rinjve për Rrjetin e Veprimit Kombëtar, një nga organizatat më të mëdha e të drejtave civile në SHBA. Ajo filloi gjithashtu një fushatë që edukon të rinjtë për çështjen e dhunës me armë.

"Mendoj se ai që më motivon është vëllai im tetë-vjeçar, me pafajësinë e tij. Dua që bota të jetë një vend më i mirë për të dhe fëmijët e mi në të ardhmen."

Mary-Pat Hector, Jack Andraka dhe Winter Vinecki thonë se kombinimi i mbështetjes nga prindërit, internetit dhe mediave sociale i ka ndihmuar të kenë sukses; por gjëja më e rëndësishme, thonë ata, vjen nga vetë personi.

"Mendoj se gjëja më e rëndësishme për fëmijët dhe të rriturit është që të mos lejojnë që mosha apo gjinia të jenë pengesë. Jo vetëm që duhet të ëndërrojnë, por duhet të kenë ëndrra të mëdha," thotë Winter Vinecki.

"Kurrë mos lejo dikë të të thotë ‘jo’. Gjithmonë ruheni ëndrrën tuaj dhe kujtoni se në qoftë se një 15-vjeçar mund të arrijë një gjë të tillë, mendoni se çfarë mund të bëni ju," shton Jack Andraka.

Ata thonë se me këtë lloj të menduari, gjithçka është e mundur.
XS
SM
MD
LG