Lidhje

William Barr përballë pyetjeve të vështira


Kandidati i Presidentit Donald Trump për prokuror të përgjithshëm, William Barr, po i nënshtrohet seancave të konfirmimit në Senat që do të zgjasin dy ditë.

Demokratët po bëjnë pyetje të vështira në seancën që po zhvillon komisioni i Senatit për çështjet juridike. Ata kërkuan sigurime se zoti Barr do të mbrojë hetimin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller nga sulmet politike.

William Barr, i emëruari i Presidentit Trump për të drejtuar Departamentin e Drejtësisë, po pyetet nga senatorët rreth pikëpamjeve të tij për disa kritika që ka bërë lidhur me hetimin e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të 2016s.

Zoti Barr, i cili ka qenë prokuror i përgjithshëm nën ish-presidentin George H. W. Bush, ka tëhequr mjaft vemendje për një shkresë të hartuar prej tij vitin e kaluar, ku kritikon zotin Mueller për faktin që po shqyrton nëse Presidenti Trump është përpjekur ose jo të pengojë hetimin.

Në shkresën prej 19 faqesh drejtuar Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili mbikëqyr hetimin, zoti Barr e quante të papërgjegjshëm hetimin e prokurorit të posaçëm Mueller për faktin që Presidenti Trump kërkoi shkarkimin e drejtorit të FBI-së James Comey.

Të alarmuar se zoti Barr, një jurist konservator republikan, mund t’i vërë kufij hetimit për Rusinë, demokratët janë zotuar se do ta bëjnë shkresën në fjalë një element kyç të seancës për emërimin e tij.

Ata kërkuan sigurime se zoti Barr do të mbrojë hetimin e prokurorit të posaçëm nga sulmet politike.

Për të zbutur këto shqetësime, zoti Barr argumentoi në komentet e tij për Komisionin Juridik të Senatit se shkresa në fjalë ishte “e ngushtë në kuptimin e saj dhe nuk kishte të bënte me hetimet rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016.”

Zoti Barr tha gjithashtu se ai do ta lejojë prokurorin e posaçëm Mueller që ta çojë deri në fund hetimin e tij pa asnjë ndërhyrje.

"Unë besoj se është në interesin e të gjithëve, të Presidentit, Kongresit dhe, më e rëndësishmja, të popullit amerikan - që kjo çështje të zgjidhet duke lejuar prokurorin e posaçëm të përfundojë punën e tij," tha zoti Barr. "Vendi ka nevojë për një zgjidhje të besueshme të këtyre çështjeve," tha ai.

Pavarësisht nga toni i qetësues i deklaratave, demokratët kanë sinjalizuar se do të t’i bëjnë pyetje të vështira kandidatit për prokuror të përgjithshëm, i cili në SHBA është titullari që drejton Departamentin e Drejtësisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG